Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar përsëri Turqisë sot të braktisë sistemin rus S-400 të mbrojtjes ajrore që bleu nga Rusia. “S-400 ruse nuk janë në përputhje me pajisjet e NATO-s, ato kërcënojnë sigurinë e teknologjisë së NATO-s” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha në një intervistë të botuar dje se qeveria e tij ishte e përgatitur të mos përdorte sistemin e raketave S-400 në mënyrë që të qetësonte tensionet mbi çështjen që po helmon marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Ankarasë. “Ne jemi të hapur për negociata” i tha Akar gazetës Hurriyet. Ministri turk tha për S-400 që Turqia nuk “kishte nevojë t’i përdorë ato vazhdimisht.
Këto sisteme përdoren në varësi të kërcënimit. Ne do të vendosim për atë”, shtoi ai.
I pyetur në lidhje me këtë sinjal të diplomacisë turke, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha sot se politika e Uashingtonit për këtë çështje “nuk ka ndryshuar”.
“S-400 ruse janë të papajtueshme me pajisjet e NATO-s, kërcënojnë sigurinë e teknologjisë së NATO-s dhe nuk janë në përputhje me angazhimet e Turqisë si një anëtar i NATO-s” tha Ned Price në një konferencë shtypi. “Ne vazhdojmë ta nxisim Turqinë të mos e përdorë këtë sistem” këmbënguli ai./ db/ Abcnews.al