Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 52 vjeçar të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit të koduar “taksisti” , është bërë i mundur ndalimi i shtetasit L.H dhe janë sekuestruar 10.2 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Ndër të tjera mësohet se drejtuesi i mjetit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka goditur një nga mjetet e shërbimeve të Policisë.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Taksisti”.
Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet policore në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 10.2 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Vihet në pranga drejtuesi i mjetit taksi që po transportonte lëndën narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi disaditor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
L.H., 52 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.
Shërbimet e Policisë, mbi bazën e informacionëve të disponuara se me një mjet taksi po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe në Milot, kanë identifikuar mjetin dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Drejtuesi i mjetit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka goditur një nga mjetet e shërbimeve të Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip “Benz” që shërbente si taksi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10.2 kg lëndë narkotike e dyshuar canabis sativa.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al