Laçi ka pasur së fundmi dy çështje në FIFA. Kurbinasit tentuan të komunikonin me Gabala për transferimin e James Adeniyi. Azerët duhet të paguanin te bardhezinjtë kontributin e solidaritetit pasi e blenë sulmuesin nga Skënderbeu.
Nigeriani ishte pjesë e Laçit në periudhën janar 2014-janar 2016 dhe më pas u shit te korçarët. Pasi kaloi te Gabala, klubi i Superiores i dërgoi emalim klub azer. Asnjë përgjigje dhe më pas çështja shkoi në FIFA dhe kurbinasit e fituan çështjen dhe Gabala duhet të paguajë rreth 2300 euro.
Një shifër normalisht modeste, por që mund t’i bllokojë merkaton klubit azer nëse nuk e paguan brenda 45 ditëve. Te Laçi kanë pasur edhe një çështje në FIFA, pasi klubi italian A.S.D Atletico Logidiani kërkonte taksnë e formimit të mbrojtësit Irlian Ceka.
Mbrojtësi, sot 22 vjeç, në janar të vitit 2019 iu bashkua Laçit dhe më pas u dëmtua, duke mos mundur të luajë. Sezonin e shkuar Ceka provoi të luajë me kurbinasit në Superiore dhe më pas u largua, për shkak të mungesës së hapësirave.
A.S.D Atletico Logidiani e dërgoi çështjen në FIFA, që vendosi të hedhë poshtë kërkesën e bërë në lidhje me Irlian Cekën në dëm të Laçit. /abcnews.al