Nga Piotr Maciej Kaczynski, Euractiv
Ka kaq shumë politikanë qëe krahasojnë Bashkimin Evropian me Bashkimin Sovjetik, saqë diçka duhet të jetë e vërtetë apo jo? Këtë krahasim kanë bërë gjatë muajve të fundit kryeministri polak Mateusz Morawiecki dhe shefi i tij, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Jarosław Kaczyński, kryeministri hungarez Viktor Orban, dhe ish-ministri estonez i Financave, Martin Helme.
Jo shumë kohë më parë “Brukseli” dukej si “Moska” e ree nacionalistëve të ekstremit të djathtë në Francë dhe Britani, Marine Le Pen, Jeremy Hunt apo Nigel Farage. Edhe miliarderi George Soros shkroi një artikull në të cilin e krahasoi BE-në me Bashkimin Sovjetik, në përvjetorin e rënies së këtij të fundit.
Ajo që bashkon shumicën e këtyre mesazheve, është një perceptim shumë specifik i Bashkimit Evropian. Këta politikanë, e akuzojnë shpesh BE-në se është oligarki, dhe jo një demokraci, se përfaqëson një identitet uniform të majtë, se është në dekadencë dhe ka një tendencë për t’i diktuar vullnetin e saj vendeve anëtare, pa asnjë lloj respekti për identitetin kombëtar.
Sipas kësaj narrative, për Bashkimin Evropian armiku janë nacionalistët, ëndrra është federalizmi, dhe imponimi është mënyra e tij të të vepruarit. Por asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës. Elementi i vetëm me të cilin mund të pajtohet dikush me konstatime të tilla, është shkalla kontinentale e ndikimit.
Si një partnere e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës,Bashkimi Evropian është sot një subjekt i marrëdhënieve botërore. Ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë,kur marrëdhënia midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik rregullonte shumicën e çështjeve botërore, sot BE-ja ka fuqinë të ndikojë në të gjithë botën.
Bashkimi Evropian është demokracia e vetme mbi-kombëtare në botë. Në zgjedhjet e fundit për në Parlamentin Evropian, votuan 202 milion njerëz. Rreth 161 milion njerëz votuan në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane. Unioni punon në bazë të harmonizimit të interesave.
Zakonisht duhet goxha kohë për të arritur një kompromis. Kohëzgjatja mesatare e miratimit të një ligji të ri në BE është 18 muaj. Por kur arrihet kompromisi, ai është po aq i fortë sa edhe një shkëmb, dhe është i vështirë të prishet. Shtetet anëtare votojnë “po” në më shumë se 96 për qind të rasteve në Këshillin e BE-së, jo sepse dikush i detyron ata, por sepse kanë negociuar paraprakisht një kompromis përfshirës.
Çdo shtet në BE është i barabartë, por jo të gjitha interesat janë të një rëndësie të njëjtë. Sapo arrihet një “interes evropian”, të 27 vendet anëtare qëndrojnë pas pozicionit të përbashkët. Kjo është e qartë për këdo që punon brenda“makinerisë”së BE-së, por kaq e pakapshme jashtë “flluskës” së Brukselit.
Britania e Madhe – dikur anëtare e unionit – po përjeton aktualisht një moment të vështirë. Ajo e di mirë se si funksionon BE-ja nga brenda, por tashmë nuk është në gjendje që të luajë lojën e saj në Këshillin e BE-së, ndaj përballet me një pozicion të vetëm të BE-së në vend se të 27 pozicioneve kombëtare.
Është e qartë, që vendet anëtare të BE-së janë subjekte të unionit, por jo objekt i politikave të tij. Interesat e të gjitha vendeve anëtare, shumëzohen me anëtarësimin e tyre në BE. Kështu,Qipro drejton politikën e unionit ndaj fqinjit të saj të fuqishëm, Turqisë. Irlanda dikton bazat për pozicionin që duhet mbajtur ndaj fqinjit të saj të fuqishëm, Mbretërisë së Bashkuar.
Tre vende baltike, janë në krye të hartimit të politikës së BE-së ndaj Rusisë. Pra, situata është krejtësisht e ndryshme nga Bashkimi Sovjetik, ku interesat e të gjitha pjesëve të tij i nënshtroheshin selive të partisë komuniste. Kur Britania vendosi që të largohej nga Bashkimi Evropian, askush nuk dërgoi një ushtri për t`a penguar këtë gjë.
Kur Suedia vendosi në mënyrë sovrane në një referendum kundër përdorimit të euros, askush nuk dërgoi një ushtri atje. Ndërkohë Bashkimit Sovjetik dërgoi trupat e Ushtrisë së Kuqe në Hungari dhe Çekosllovaki, dhe nga fundi Mikhail Gorbachev dërgoi trupa për të “qetësuar” situatën në Lituani në vitin 1991.
Bashkimi Evropian nuk ka ushtrinë e vet. Ai nuk është armiqësor ndaj patriotizmit. Nacionalizmi i shfrenuar, bie në kundërshtim me vlerat e BE-së, pasi Bashkimi Evropian është krijuar pikërisht në përgjigje të katastrofës që shkaktoi nacionalizmi i shfrenuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Bashkëpunimi në vend të dyshimit, konkurrenca në vend të armatimit, negociatat në vend të sherreve. Këto nuk janë teka të evropianëve që e konsiderojnë veten “më të mirë”. Por janë një domosdoshmëri absolute për të shmangur përsëritjen e historisë.
Uniteti, dhe jo bashkimi, është ajo për të cilën përpiqet vazhdimisht BE-ja. Nga njëra anë,ekziston një tendencë për të krijuar rregulla universale për të rritur tregun e përbashkët. Të njëjtat kërkesa janë të nevojshme për të lejuar edhe lodrat në një treg të vetëm evropian.
Ndërkohë, bimësia është krejtësisht e ndryshme në Andaluzi dhe në Lapland.
Të gjitha fetë trajtohen me respekt; nuk ka ndalime apo diktate mbi çështjet kulturore, politikën familjare apo ruajtjen e traditave kombëtare. Në Bashkimin Sovjetik, diversiteti u shtyp dhe fetë u persekutuan. Liria është ADN-ja e Bashkimit Evropian,ndërsa ajo mohohej plotësisht nga Bashkimit Sovjetik.
Në BE nuk ka censurë të shtypit, ekziston liria e lëvizjes, si për të punuar ashtu edhe për të bërë biznes. Nuk ka vend për gulagët. Skllavëria është e jashtëligjshme, dhe rastet e diskriminimit dënohen. Të drejtat e njeriut mbrohen nga sistemet kombëtare, të BE-së dhe të Këshillit të Evropës.
Të gjitha vendet evropiane kanë sisteme të mirëqenies sociale, arsimim universal dhe kujdes shëndetësor falas. Të drejtat dhe liritë civile janë reale, edhe nëse janë të sfiduara gjatë bllokimeve të fundit për shkak të pandemisë.
Bashkimi Evropian, është një sistem i shteteve të barabarta evropiane, ku që të gjithë respektojnë shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë parlamentare. Vetë BE po ndërmerr hapa për të forcuar demokracinë e vet transnacionale. Ndërkohë, Bashkimi Sovjetik ishte një shtet totalitar i administruar nga qendra dhe i kontrolluar më dorë të hekurt, bazuar në një aparat të dhunës.
BE angazhohet në zgjidhjen e këtyre problemeve përmes zgjidhjeve politike dhe ligjore, por kurrë me forcë. Një argument i veçantë, është pretendimi se Bashkimi Evropian është i dënuar të shembet. Por a do të shembet BE ashtu si Bashkimi Sovjetik 30 vjet me parë?
Ngjarjet e vitit 2020, përfshirë dyfishimin e buxhetit të BE-së, vendimin për të krijuar një borxh të përbashkët, vendosjen e taksave të reja të BE-së, si dhe luftën e përbashkët kundër pandemisë së Covid-19, dhe koordinimin e blerjes dhe shpërndarjes së një vaksine, vërteton se BE-ja është larg paralizimit.
Ajo mund të jetë një “makineri” e keq-pajisur dhe e ngadaltë, por gjithsesi funksionon përkundër problemeve të mëdha. Pavarësisht nga problemet me shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave, duket se Bashkimi Evropian do të dalë më i fortë dhe më i bashkuar nga pandemia e Covid-19. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

