Elvis Rexhbecaj zhvilloi një ndeshje madhështore ndaj M’Gladbach, kundërshtar të cilit i shënoi dy herë. 23-vjeçari dardan, për të cilin interesohet prej kohësh Kosova, i dhuroi fitoren 1-2 Koln në transfertë.
Lojtari ofensiv i lindur në Prizren, zhbllokoi takimin shumë shpejt. Aksion shumë i bukur i Koln në minutën e tretë dhe Rexhbecaj tundi rrjetën kundërshtare me një goditje të saktë.
Vendasit barazuan pak minuta më vonë, por Rexhbecaj gjeti golin e radhës në minutën e 55-të. Mesfushori besoi deri në fund, kreu presing ndaj një mbrojtësi kundërshtar dhe dërgoi topin në rrjetë.
Goli i pestë sezonal në Bundesligë me Koln për Rexhbecajn, i cili është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij, që sot siguroi tre pikë mbijetesë në një fushë të vështirë ku kanë humbur edhe ekipe “big” gjermane. /abcnews.al