Putin përçmon sanksionet amerikane, por vlerëson takimin me Trump

schedule19:13 - 22 Gusht, 2018

schedule 19:13 - 22 Gusht, 2018

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se sanksionet e reja amerikane nuk do të funksionojnë ndaj Rusisë dhe ka ftuar Uashingtonin të ndryshojë qasje. Por ndryshe nga kreu i Kremlinit, ministri rus i Ekonomisë ka paralajmëruar se masat e Shteteve të Bashkuara do të kenë pasoja të rënda.

Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar të mërkurën se sanksionet e reja amerikane ndaj Rusisë dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe. Në një konferencë për shtyp të mbajtur pas takimit me homologun finlandez, Putin ka deklaruar se shpreson që Uashingtoni ta kuptojë se politika e sanksioneve ndaj Moskës është e gabuar. “Sanksionet janë të kota me një vend si Rusia. Shpresoj që partnerët tanë amerikanë ta kuptojnë se kjo politikë nuk ka të ardhme dhe që në një farë pike duhet të rifillojmë bashkëpunimin”, ka thënë Putin. Megjithatë, kreu i Kremlinit ka vlerësuar se takimi i muajit të kaluar me presidentin Donald Trump ka qenë i frytshëm.

Ndër të tjera Putin ka nënvizuar se Europa ka nevojë për gazsjellësin “Rrjedha e Veriut 2”, një projekt që Trump e ka kritikuar ashpër. “Rusia është furnizuesi ideal për tregun europian të energjisë”, ka vijuar Putin. Ndër të tjera, presidenti ka shtuar se Rusia ka nevojë të përforcojë infrastrukturën e saj ushtarake, për faktin se ajo e NATO-s po i afrohet kufirit rus. Por pavarësisht qëndrimit të palëkundur të Putin ndaj sanksioneve, ministri rus i Ekonomisë, Maxim Oreshkin ka deklaruar të mërkurën se masat penalizuese të Uashingtonit do të dëmtojnë më tej rublën ruse në 12 muajt e ardhshëm dhe ka theksuar se parashikimet për rritjen ekonomike duhen rishikuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!