Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje për ekstradimin drejt SHBA-së, të Arben Bregut, i akuzuar për një vrasje në Florida.
I ftuar në studion e ABC me Juli Xhokaxhi, Hoxha tha se Bregu nuk njihet për aktivitete kriminale në Shqipëri. Pasi u arratis nga SHBA për krimin e bërë ai erdhi në Shqipëri. Me kërkesë të autoriteteve amerikane Bregu u arrestua, ndërkohë që gjykata e la në “arrest shtëpie”. Për sigurinë e tij, gazetari thotë se ruhej nga 45 policë në banesë në Shkodër, të cilët ishin me tre turne.
“Nuk është një personazh që të ketë pasur aktivitete në Shqipëri. Ishte në kërkim për një vrasje në Florida. Nga momenti që ka bërë këtë gjë, ka qenë me masë sigurie, është arratisur dhe ka ardhur në Shqipëri. U arrestua vitin e kaluar. Gjykata e Shkodrës duke deklaruar se nuk i kanë ardhur brenda 40 ditësh e ka lënë në gjendje të lirë. Kjo ka krijuar alert në SHBA. E kanë reaktivizuar çështjen dhe anë kërkuar që të arrestohet.
Arben Bregu ruhej në 24 orë me 45 trupa policie në Shkodër. Në tre turne. Ishin 15 në turn, mes tyre edhe FNSH. U vu një numër kaq i madh dhe 45 policë sepse kishin të bënin me një të kërkuar në SHBA.
Para një jave, larg vëmendjes së medias, mesa duket autoritete amerikane duke parë që sistemi jonë është çalam, në orët e para të së premtes kanë shkuar e kanë marrë këtë person nga arresti i shtëpisë dhe e kanë çuar në SHBA. Ky është rasti i tretë, është që nga koha e Zogut. Në rrugë proceduriale ka shkelje.
Në SHBA ka një gjë, nuk mund ti shpëtosh ndëshkimit nga ligji. Këmbëngulja që gjykata e lironte, policia e arrestonte…jam i sigurt që avokatët e tij po ta çojnë çështjen do të dalë ekstradim i paligjshëm”, tha gazetari.
Lexo edhe: Hoxha: Masakra e Bradasheshit pas humbjes së ngarkesës së drogës, njelloj si në rastin e Prengës
Kujtojmë se Arben Bregu shkaktoi përplasje institucionale mes Gjykatës së Shkodrës dhe Drejtësisë Amerikane, pasi në 17 janar 2021, gjykata vendosi ta lirojë nga burgu i Reçit, të kërkuarin megjithëse ndaj tij kishte një vendim ekstradimi në drejtim të SHBA-së.
Në vitin 2013 sipas autoriteteve amerikane Bregu, është përfshirë në një ngjarje kriminale, pasi ka qëlluar me armë zjarri, duke tentuar të vrasë një qytetar të SHBA pranë një supermarketi.
Bregu është arrestuar në SHBA por ka ikur nga vendi edhe pse ishte në masën e “arrestit në shtëpi” duke falsifikuar pasaportën.
Pas strehimit në Shqipëri lokalizimi dhe arrestimi i tij në Shkodër, është bërë në qershor të 2020 me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Interpol Uashingtonit. Pas vendimit të datës 23 shtator 2020, për ekstradimin e tij në SHBA, procedura nuk është kryer për shkak të pezullimit të fluturimeve ajrore nga pandemia.
Në janar 2021, nëpërmjet avokatit të tij, Arben Bregu, ka kërkuar lirimin nga burgu, kërkesë që u pranua nga gjyqtari i Shkodrës Andi Ymeri, i cili urdhëroi lirimin e të kërkuarit. Pas publikimit të lirimit të Bregut në datën 21 janar 2021, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme u vunë në lëvizje, duke vënë në pranga arrestimin e Arben Bregut vetëm 5 ditë që ishte liruar nga burgu.
Ndërkohë, më 29 janar 2021 agjentët amerikanë dhe efektivë të policisë shqiptare kanë kryer transportimin e të kërkuarit drejt aeroportit të Rinasit, duke udhëtuar më pas në drejtim të SHBA-së. g.v/abcnews.al