Britani, fillon testimi i trajtimit të Covidit me dy vaksina të ndryshme

schedule08:49 - 4 Shkurt, 2021

schedule 08:49 - 4 Shkurt, 2021

Britania e madhe së fundmi ka nisur me një testim për të parë nëse jep rezultat vaksinimi i njerëzve me vaksina të ndryshme në dozën e parë dhe të dytë njësoj si qasja e tanishme me përdorimin e së njëjtës vaksinë për të dyja dozat.

Mediat e huaja bëjnë me dije se kjo është një mënyrë për të siguruar më fleksibilitet në shpërndarjen e vaksinave dhe të ofrohet ndihmë për t’u përballur me ndonjë pengesë të mundshme rreth furnizimeve.

Shkencëtarët madje thonë se është e mundshme që qasja e re mund të ofrojë mbrojtje më të mirë nga virusi sesa përdorimi i vaksinës së njëjtë në të dyja dozat. Ata kanë arsye të fortë që të besojnë se qasja e re me përzierje të vaksinave mund të sjellë përfitime. Disa programe të imunizimit kundër Ebolës përfshijnë lloje të ndryshme të vaksinave për ta përmirësuar mbrojtjen e organizmit, për shembull.

Në testimin e udhëhequr nga “National Immunisation Schedule Evaluation Consortium” do të përfshihen mbi 800 vullnetarë mbi moshën 50-vjeçare në Angli. Disa do ta marrin fillimisht vaksinën e kompanisë AstraZeneca dhe më pas atë të kompanive Pfizer dhe BioNTech, katër ose dymbëdhjetë javë mes dozës së parë dhe të dytë, por në testim mund të shtohen edhe vaksina të tjera, nëse ato miratohen nga rregullatorët.

Shkencëtarët do t’i vëzhgojnë vullnetarët për efekte anësore të mundshme dhe do t’i analizojnë në hollësi testet e gjakut për të parë sa mirë po reagon sistemi imunitar i personave të vaksinuar me lloje të ndryshme të vaksinave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!