Skena politike shqiptare sa më shumë i afrohet 25 prillit aq më shumë nxehet duke nxjerrë në pah edhe prapaskenat. Sot Edi Rama zbuloi paktin me Lulzim Bashën se “Do ta çonim LSI-në për skrap, por më tradhtoi kryedemokrati”.
Për programin, retorikën, fushatën, batutat dhe skenarët pas 25 prillit, të ftuar në studio me gazetarin Endri Xhafo ishin gazetarët e politikës në ABC, Esiona Konomi që mbulon PS-në dhe Juxhin Mustafaraj PD-në.
Për gazetarin Juxhin Mustafaraj, Edi Rama jo vetëm me konferencën e sotme, por atë që ka treguar në dy mandatet e qeverisjes nuk e meriton një mandat të tretë, pasi është më shumë një njeri i batutave sesa i përmbajtjes.
“Edi Rama është futur në periudhën që i pëlqen më shumë të fushatës zgjedhore. I ka rezultuar se shqiptarët joshen më shumë nga batutat dhe retorika para zgjedhore dhe për këtë arsye është i prirur drejt batutave sesa premtimeve konkrete.
Retorikë e së shkuarës që lidhet me vlerësimin për Bashën si lider, duke e etiketuar pa shtyllë kurrizore dhe e dyta diversioni për të sjellë përçarje në kampin opozitar. Më shumë se sa për të përçarë opozitën, Rama po tenton të krijojë një klimë konfrontuese mes demokratëve dhe votuesve të LSI-së. Edi Rama nuk e meriton mandatin e tretë” tha ai.
Edhe për Esiona Konomin, duhet rotacion, por shikon mungesë alternativash. “Unë s’e kam votuar kurrë kryeministrin Rama, nuk po them kë kam votuar, por edhe po ta kisha votuar dhe nuk kam ndonjë emocion, edhe po ta kisha votuar, do të mendoja se një mandat i tretë është ezaurues, një njeri që ka qeverisur 8 vite, nuk ka më energji të reja”.
Në pritje të zgjedhjeve, nuk mungojnë skenarët se cfarë do të ndodhë nëse Edi Rama nuk do të arrinte që të formonte i vetëm qeverinë, me kë do të bënte koalicion? As LSI dhe as PD, Konomi jep një tjetër opsion që mund të zgjidhte Edi Rama.
“Së pari do të duhet të marrim në konsideratë sa do të jetë nevoja, sa do i duhen për të bërë qeverinë, nëse i duhen më pak se 5, mund të tentohet bindja, nuk po them blerja, e individëve nga LSI apo PD, çka është më e thjeshtë se të bënte koalicion me LSI apo PD.
Skenari më i mundshëm është ky, të marrësh 5 veta dhe t’i bësh ministra sesa të marrësh një parti, pra logo. Nëse do të duhet më shumë se kaq do të duhet të vlerësohen të dyja opsionet me LSI dhe PD. Të dy hynin në histori, Rama me mandatin e tretë dhe Basha që u shpëton problemeve në parti”.
Por, Juxhin Mustafaraj ndërsa e cilëson 25 prillin, bastin e fundit të Lulzim Bashës, u shpreh se një koalicion qeverisës PD-PS do të dëmtonte shumë të djathtën. “Ky është basti i fundit politik i Lulzim Bashës. Një pakt i Bashës me Ramën, do ta zvogëlonte PD në një forcë me përmasa shumë të vogla. Basha mund të bëhej kryeministër dhe Rama president, por PD-së nuk i sillte asnjë të mirë” përfundoi ai./ db/Abcnews.al