Dorian Teliti, i ftuar në emisionin “Log.” me gazetarin Endri Xhafo, foli për programin e Partisë Demokratike, duke parashtruar problemet ekonomike dhe faktorët që sipas tij kanë sjellë edhe rrënimin e ekonomisë.
Përballë gazetarit Endri Xhafo, Teliti tha se PD nuk premton para nga qielli, por shtoi se me programin aktual do të mundësohet edhe ringritja ekonomike.
“Jemi munduar të filtrojmë dhe të marrim pjesën më të mirë të propozimeve. Përmend këtu taksën e sheshtë, çmimin e karburantit. Kemi rënë dakord për faktin që bizneset shqiptare hasin vështirësi për rimbursimin e TVSH. Siguroj që ne mund t’ja dalim”, tha Dorian Teli ish-deputeti i PD-së.
Gjatë bisedës në studio ai gjithashtu tha se PD është e angazhuar publikisht në të rikthejë legjimitetin e institucioneve, ndërsa thekson se PD e ka bërë të qartë vizionin e saj.
“Në këto zgjedhje ndahet shapi nga sheqeri, ose do të rikthejmë legjimitetin e institucioneve ose ekonomia do të shkojë në greminë. Ne duhet të saktësojmë se energjia elektrike është kosto e madhe për biznesin prodhues. Në 82 ditët e ardhshme mund të kemi kohë për të qartësuar të gjitha humbjet apo rrjedhjet. Ne nuk premtojmë para nga qielli. Nuk ka gjë falas. Si kemi arritur ne në përfundimin që të dyfishojmë të ardhurat në 8 vitet e ardhshme?, tha Teliti.
Gjithashtu ai theksoi se paratë nuk mungojnë, por sipas tij ka një keqmenaxhim nga qeveria aktuale duke sjellë edhe rrënim të ekonomisë.
“Ne e falënderojmë zotin Rama që vazhdojnë t’i bëjnë reklamë falas angazhimeve që do të marrë Basha. Duke çliruar të gjithë ekonominë nga klientelizmi korrupsioni apo barra fiskale që i merr frymën biznesit shqiptar dhe në anën tjetër duke bërë politika incentivuse shpenzimesh që rrisin të ardhurat të gjithë në fund të ditës do të dalin të fituar, pra edhe shteti është më i fortë. Përse sot ekonomia është e rrënuar? Sepse këtu shteti vjedh veten e vet”, tha më tej Teliti.
Ndërsa Edmond Haxhinasto tha se industria fason, biznesmenë nga të gjitha fushat kanë probleme dhe vështirësi ekonomike, duke shtuar se programi i LSI nuk është program dëshirash por sipas tij ka në themel ato çështje që janë të realizueshme.
“Për ne nuk është program dëshirash, por kemi vendosur ato që të realizueshme. Nuk mund të kërkosh të zhvillosh ekonomikë më këtë sistem që jemi sot. Janë shumë aspekte që krijojnë atë situatë ku ekonomia rritet dhe merr besimin e qytetarëve. Programi ynë kthen besimin e njerëzve, këto propozime janë konkrete dhe të realizueshme”, tha Haxhinasto.
/abcnews.al/