Portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, ende nuk po gjen gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës. Sipas raportimit të “Corriere della Sera”, marrëveshja mes palëve është shumë larg edhe pse ka disa muaj që po flitet për këtë temë.Në fakt janë disa çështje mes tyre që nuk ka akoma një konsensus dhe problemi më i madh qëndron tek paga e gardianit.
Agjenti i Gigios, Mino Raiola këmbëngul për 10 milionë euro në vit ndërsa milanezët nuk ofrojnë më shumë se 7 milionë euro në sezon plus bonuset.Hendeku është ende i madh dhe nuk dihet nëse do të kemi një marrëveshje këto muaj sepse kontrata aktuale e 21-vjeçarit përfundon në 30 qershor.
Donnarumma ka treguar dhe në këtë sezon se është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit, pasi në 19 ndeshje e ka mbajtur portën 7 herë të paprekur, duke ndihmuar kështu që kuqezinjtë të ruajnë vendin e parë në klasifikimin e Serie A. /abcnews.al