Inspektimin e rradhës kryebashkiaku Erion Veliaj e ka bërë në zonën e “Depos së Ujit”, ku përfundimi i punimeve me rrugët por edhe legalizimi i banesave ka sjellë sipas tij urbanizimin e zonës.
Bashkia e Tiranës ka përfunduar punimet për ndërtimin e dy rrugëve që shkojnë në zonën e “Depos së Ujit” zgjatim të rrugëve “Budi” dhe “Mihal Grameno”. Në inspektimin e punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj shoqërohej nga nënkryetarja e Kuvendit njëkohësisht deputete e zonës Vasilika Hysi.
“Kemi qenë këtu fiks një vit më parë, kur filluam punën dhe kjo ka qenë e gjitha një monopat. Në fakt, ka qenë monopat që kur kam qenë unë fëmijë dhe rritesha në këtë lagje dhe kjo ka qenë pjesë e Ndërmarrjes Bujqësore, e populluar me njerëz që deri dje i quanin shtëpi të palegalizuara, por sot quhen vila të urbanizuara”.
Për kreun e Bashkisë kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara.
“Jam shumë i lumtur sot që edhe pse kemi hapur 100 kantiere në Tiranë, disa kanë filluar të mbyllen dhe siç kemi premtuar do mbyllim shumicën e kantiereve të hapura, përpara se njerëzit të kthehen nga pushimet”.
Veliaj falenderoi punonjësit e institucionit që drejton për vijimin e punës në ditët e nxehta të gushtit./abcnews.al