Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka dalë kundër vendimit të Gjykatës Supreme që nxori jashtë garës për zgjedhjet e 14 shkurtit liderin e partisë, por thekson se nuk do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas forcës politike të drejtuar nga Albin Kurti, ka përpjekje për pamundësimin e zgjedhjeve dhe një lëvizje e tillë do t’u jepte shpresë.
“E pamë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Ky vendim i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre.
Ankesa në Gjykatën Kushtetuese do t’u jepte shpresë këtyre përpjekjeve. Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit. Vazhdojmë me aktivitetet tona drejt fitores plebishitare” mbyllet reagimi.
Gjykata Supreme vendosi sot për ankesat e subjekteve politike, ku dy prej tyre janë pranuar pjesërisht. Në vendin e kësaj të premteje gjykata vendosi lejimin e kandidimit për deputetët Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, ndërsa nuk u lejua Albin Kurti për shkak të dënimit./ db/Abcnews.al