Angela Merkel dhe Vladimir Putin gjatë një takimi në Meseberg kanë ritheksuar mbështetjen e tyre për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Kancelarja ka konfirmuar se Gjermania respekton akordin, por shikon me frikë aktivitetet balistike të Teheranit dhe ndikimin në Jemen. Dy liderët kanë folur edhe për krizën në SIri dhe Ukrainë.
Takimi mes dy udhëheqësve u zhvillua në kështjellën e Meseberg, në Austri, ku presidenti rus ripërsëriti interesat e përbashkëta në partneritet me gjermanët, kryesisht duke u përqëndruar tek gazësjellësi Nord Stream 2, i cili sipas Vladimir Putin do të forconte Europën. Projekti që Donald Trump dëshiron të sanksionojë aktualisht siguron terren për mirëkuptim midis Berlinit dhe Moskës, në kërkim të një afrimi pragmatik, në një mënyrë anti-SHBA. Ndërsa Angela Merkel menjëherë nënvizon “përgjegjësinë e Rusisë dhe Gjermanisë” në gjetjen e “zgjidhjeve për konfliktet ndërkombëtare”. Putin nuk ka përjashtuar mundësinë që Kievi do të vazhdojë të luajë një rol në tranzitin e gazit, edhe pas ndërtimit të tubacionit të ri. Një temë thjesht ekonomike, nga këndvështrimi i tij. Dhe në këtë ai ndoqi linjën e kancelares, e cila u shpreh e gatshme për të vazhduar bashkëpunimin.
Të unifikuar në mbështetjen e marrëveshjes bërthamore me Teheranin, dy liderët pastaj iu referuan dosjeve të rëndësishme si Ukraina dhe Siria. “Për fat të keq ne nuk shkojmë përpara në Ukrainë dhe gjithashtu do të donim të nënvizonim domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të Minskut. Do të flasim për misionin e OKB-së, që ne do të dëshironim të luajë një rol në gjetjen e paqes”, tha Merkel. Më pas, në frontin sirian, Putini citoi në mënyrë të qartë pritjet e tij lidhur me BE-në: “Është e rëndësishme të forcohet përkrahja e komunitetit për Sirinë, unë i referohem veçanërisht performancës së ndihmës humanitare”.
Duke pasur parasysh kthimin e miliona refugjatëve në Evropë, Jordani, Turqi dhe Liban, Putini kërkon më shumë përkushtim ndaj infrastrukturës bazë, si “furnizimi me ujë dhe dërgimi i ndihmës mjekësore” në rajonet ku refugjatët do të duhet të kthehen.
Ndërkohë, ndër të tjera Putin e vlerësoi Europën si një partner të besueshëm dhe nënvizoi varësinë e BE-së për gazin e Moskës. “Rusia vazhdimisht ka siguruar furnizimin me energji të Europës. Gjermania është një nga konsumatorët më të mëdhenj të gazit rus”, u shpreh Putin ndërsa theksoi se konsumi vijon të rritet nga viti në vit./abcnews.al