Deklaratat e Vuçiç dhe mobilizimi i ushtrisë, Hoti i shkruan letër QUINT-it

schedule14:28 - 29 Janar, 2021

schedule 14:28 - 29 Janar, 2021

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve anëtare të QUINT’it dhe ambasadorit të BE’së në Kosovë. Hoti ka kërkuar reagimin e tyre, pas deklaratave nxitëse të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, si dhe presionit dhe kërcënimeve të Listës Serbe, ndaj pakicave jo serbe në Kosovë, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Vuçiç njoftoi mobilizimin e ushtrisë, duke iu referuar problemeve me Kosovën, ndërkohë që Hoti thekson se këto deklarata kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike.

Lexo edhe: Pas kërcënimeve me luftë, Vuçiç mobilizon ushtrinë: Ju i dini problemet që kemi në Kosovë

‘’Këto deklarata si dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe, kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike në vendin tonë. Këto sjellje janë të pa pranueshme. Ne kërkojmë nga ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme ndaj kësaj qasje të rrezikshme dhe ta bëni të qartë se ndërhyrja në proceset politike në Kosovë nuk mund të kalojë pa pasoja, për ata që janë të përfshirë’’, ka shkruar Hoti.

Hoti për këtë çështje reagoi edhe përmes “Facebook”-ut. Ai tha se këto deklarata të Vuçiçit duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian.

“Presidenti i Serbisë kërkon rikthimin e shërbimit të detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës! Këto deklarata duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian. Por, ne nuk brengosemi. Ne kemi ushtrinë tonë. E gatshme, dhe tanimë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse. Më me qetësi, më me qetësi!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Aleksandër Vuçiç deklaroi se do të ketë investime të mëtejshme në ushtrinë e vendit dhe sistemin e mbrojtjes, si dhe rritje të konsiderueshme të të ardhurave për anëtarët e ushtrisë gjatë këtij viti.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!