Provë e dështuar pa praninë e policisë në stadiumin e Korçës

schedule12:27 - 18 Gusht, 2018

schedule 12:27 - 18 Gusht, 2018

Shqetësimi është i madh pas dhunës në ndeshjen në Korçë mes Skënderbeut e Partizanit. Federata Shqiptare e Futbollit kërkon rishikimin e Ligjit për Sportin që ndalon hyrjen e Policisë së Shtetit në stadiume.

Nëse pritej një përgjigje, ajo erdhi e shpejtë. Stadiumi i Korçës nuk ishte i sigurt në ndeshjen e parë të kampionatit, dhe dhuna shpërtheu thuajse e papenguar. Përse klubi i Skënderbeut nuk ishte në gjendje të garantonte mbarëvajtjen e një takimi kaq të rëndësishëm?
Nga Korça nuk flet askush, as nga Partizani, por duket se masat e marra ishin të pamjaftueshme dhe mungesa e Policisë së Shtetit ndikoi për keq.

Besohet se numri i agjentëve të sigurisë private në stadium ishte i pamjaftueshëm, ndërsa jozyrtarisht mësohet se ata ishin rreth 30. Disa prej agjentëve mbetën edhe të plagosur pasi tifozët hodhën sende të forta dhe madje disa prej tyre hynë në fushë. Federata Shqiptare e Futbollit doli me deklaratë publike ku kërkohej reflektim lidhur me praninë e Policisë së Shtetit në impiantet sportive. Nënkuptimi ishte i qartë, duke e quajtur të parakohshëm amendimin e Ligjit të Sportit, që kërkon që Policia e Shtetit të qendrojë jashtë stadiumit, ndërsa klubet ta mbajnë sigurinë me polici private.

Shqetësimi ishte i madh në prag të nisjes së Superligës, siç u shfaq edhe në takimin e Federatës me klubet pak ditë më parë. Burime në Federatë, por që nuk duan të identifikohen, bëjnë me dijë se do të kishte qenë mirë që të kishte pasur një periudhë të ndërmjetme, ku në stadium të ishin edhe agjentët e policisë private, edhe ata të Policisë së Shtetit, një lloj periudhe tranzicioni, derisa tifozët të mësohen vetëm me praninë e sigurisë private. Ky burim sqaroi se në ndeshjet e kombëtares, aktivizohen 50 agjentë privatë, por duke pasur edhe mbështetjen e policisë.

Gjithsesi, një nga drejtuesit e klubeve që gjithashtu nuk deshi të dilte me emër, e quan atë që ndodhi si të qëllimshme. Sipas tij, bëhet fjalë për një sabotim për qëllim përfitimi, si një konkurrencë për të larguar agjenci të caktuara të sigurisë private dhe për t’i dhënë licencën apo kontratën agjencive të tjera. Policia e Shtetit nga ana e saj, njoftoi se po punon për të identifikuar shkaktarët e dhunës, ndërsa ia ka kaluar materialet Prokurorisë së Rrethit të Korçës. Nuk dihet se çfarë ndryshimesh mund të ndodhin, por rreziku i dhunës është i madh në ndeshjet e Superligës, në mungesë së Policisë së Shtetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!