Frontex tërhiqet nga kufiri Hungari-Serbi

schedule08:16 - 28 Janar, 2021

schedule 08:16 - 28 Janar, 2021

Agjencia kufitare e Bashkimit Evropian – Frontex – njoftoi se ka pezulluar të gjitha operacionet në Hungari. Masa vjen pas një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që kritikoi rëndë sistemin e azilit të Hungarisë.

“Frontex ka pezulluar të gjitha aktivitetet e tij operacionale në Hungari”, i tha AFP-së, Chris Borowski, një zëdhënës i Frontex-it, me bazë në Varshavë.

“Përpjekjet tona të përbashkëta për të mbrojtur kufijtë e BE-së mund të jenë të suksesshme vetëm nëse bashkëpunimi dhe aktivitetet të jenë plotësisht në përputhje me ligjet e BE-së”, tha ai.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë në dhjetor gjeti mangësi të shumta në procedurat e azilit të Hungarisë, duke përfshirë kthimin e paligjshëm të migrantëve nga Serbia.

Gjykata gjithashtu kritikoi ndalimin e migrantëve në “zonat e tranzitit”.

Komisionarja e BE-së për Punët e Brendshme Ylva Johansson shkroi në Twitter se njoftimi i Frontex ishte “i mirëpritur”.

Komiteti i Helsinkit në Hungari (HHC), tha se Hungaria kishte kthyer më shumë se 4.400 migrantë që nga vendimi i gjykatës së BE.

Migrantët, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme, shkojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor për të kaluar pastaj më lehtë në territorin e Bashkimit Evropian./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!