Hungaria hoqi këtë të mërkurë pengesën e saj për avancimin e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian, duke i hapur rrugë nisjes së hapjes dhe punës për dy kapitujve të rinj të procesit të anëtarësimit.
Vendimi i Budapestit lidhet me përparimin e Ukrainës në garantimin e të drejtave të pakicës hungareze në Transkarpati. Parlamenti ukrainas pritet të votojë të hënën ndryshimet ligjore për forcimin e të drejtave arsimore dhe kulturore të pakicave kombëtare.
Pas miratimit të ligjit, Hungaria pritet të mbështesë zyrtarisht hapjen e Kapitullit 2, që lidhet me tregun e brendshëm, dhe Kapitullit 3, që mbulon konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.
Të mërkurën, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së miratuan gjithashtu një hap procedural që i lejon Këshillit Europian t’u dërgojë Ukrainës dhe Moldavisë letrat përmes të cilave u kërkohet të paraqesin qëndrimet e tyre negociuese.
Nëse parlamenti ukrainas miraton ndryshimet për të drejtat e pakicave, hapja formale e dy kapitujve mund të bëhet më 13 tetor, gjatë konferencës ndërqeveritare BE-Ukrainë. Mosmarrëveshja për të drejtat e rreth 100 mijë hungarezëve etnikë në Ukrainë ka qenë prej vitesh një prej pikave kryesore të tensionit mes Budapestit dhe Kievit.
Qeveria e re hungareze e kryeministrit Péter Magyar, e cila mori detyrën në maj pas largimit nga pushteti të Viktor Orbánit, ka ndjekur një qasje më pragmatike ndaj Ukrainës. Në qershor, Hungaria sinjalizoi zbutjen e qëndrimit të saj pas një marrëveshjeje për forcimin e të drejtave gjuhësore, arsimore, kulturore dhe politike të pakicës hungareze.
Megjithatë, Budapesti ka kërkuar që angazhimet e Kievit të shndërrohen në ndryshime konkrete ligjore përpara se të japë mbështetjen për avancimin e mëtejshëm të negociatave.
Nëse procedura vijon sipas planit, hapja e dy kapitujve të rinj do të shënonte një tjetër hap të rëndësishëm për Ukrainën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ukraina ka hapur aktualisht tre grupe kapitujsh për anëtarësim në Bashkimin Europian.


