Korrigjimi i kufijve, presidenti maqedonas kundër

schedule08:47 - 18 Gusht, 2018

schedule 08:47 - 18 Gusht, 2018

Presidenti maqedonas ka kundërshtuar idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Gjorgje Ivanov ka deklaruar se një lëvizje e tillë do të kishte efekt domino jo vetëm në rajon por në gjithë Europën.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka dalë kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve në Ballkan. Duke iu referuar rastit të Serbisë dhe Kosovës, Ivanov ka theksuar se një lëvizje e tillë mund të ketë një reaksion zinxhir, që përveç se në rajon mund të ndikojnë në Europë e më gjerë. “Në Ballkan po bisedohet sërish për korrigjim të kufijve, shkëmbim të territoreve dhe të popullsive.

Mesa duket është harruar leksioni se çdo plan për ndryshim kufijsh në Ballkan ka shërbyer si precedent”, ka thënë Ivanov. Presidenti maqedonas ka nënvizuar se një ndryshim eventual do të shfrytëzohet për qëllime të tjera në Europën lindore, Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. “Këto janë sfida serioze që kërkojnë investime serioze, ndaj investimi në fushën e mbrojtjes është në interesin më të mirë të vendit dhe qeveria duhet ta ketë parasysh”, ka thënë Ivanov.

Këto komente kreu i shtetit i ka bërë gjatë një ceremonie me rastin e 26-vjetorit të krijimit të Armatës së Maqedonisë. Në vijim të fjalimit, Ivanov ka folur edhe për kërcënime që vijnë nga kriza e emigrantëve dhe individë e grupe radikale, që sipas tij duan të rrënojnë vlerat e shoqërisë./abcnews.al