Pavarësisht se presidenti Donald Trump kishte paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Turqisë, kjo e fundit ka refuzuar të lirojë pastorin amerikan; një lëvizje që mund të thellojë më tej përplasjen mes dy vendeve aleate në NATO.
Një gjykatë turke hodhi poshtë të premten kërkesën për të liruar pastorin amerikan Andreë Brunson, arrestimi i të cilit ka shkaktuar një përplasje të fortë diplomatike mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Vendimi ka ardhur vetëm pak orë pasi një ministër turk tha se vendi i tij do të përgjigjet nëse Amerika vendos sanksione të reja lidhur me rastin e Brunson. Një ditë më parë Uashingtoni njoftoi se Turqia do të përballet me sanksione të mëtejshme nëse refuzon të lirojë pastorin, i cili akuzohet nga Ankaraja se ndihmoi organizatorët e grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016 kundër presidentit Recep Tayip Erdogan. Nga ana e saj, administrata amerikane pretendon se Turqia nuk ka prova për akuzat në fjalë dhe se e ka mbajtur pastorin nën arrest për një periudhë shumë të gjatë. Sanksionet e vendosura deri më tani nga Shtëpia e Bardhë kanë shkaktuar rënien në minimum të vlerës së lirës turke kundrejt dollarit, një rënie që sipas ekspertëve rrezikon të shkaktojë një efekt domino në ekonomitë europiane, që ende nuk janë rekuperuar nga kriza financiare. /abcnews.al