Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim gjatë ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave për Akademinë e Udhëheqjes për Anëtaret Gra të Parlamentit inkurajoi deputetet shqiptare për rolin e tyre.
“Pjesëmarrja dhe fuqizimi i grave në të gjitha nivelet e shoqërisë është çelësi për të çuar demokracitë përpara. Megjithatë, ndërsa pjesëmarrja e barabartë e grave është thelbësore, pjesëmarrja nuk është qëllimi. Qëllimi është ndërtimi i një shoqërie më të përparuar dhe e bazuar në merita, ku kontributet dhe përfitimet ndahen në mënyrë të barabartë…
Ju sot mbartni brenda vetes edhe aftësitë që ju nevojiten për të çuar përpara karrierat tuaja politike, edhe përgjegjësinë për t’u shërbyer atyre që përfaqësoni. Shpresoj se do ta merrni këtë përgjegjësi me seriozitet – në fakt, e di që e merrni me seriozitet – dhe se do t’i përdorni këto aftësi për të përfaqësuar popullin shqiptar – burrat, gratë, fëmijët, të gjithë ata – në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kim.
Ambasada e SHBA thotë se kjo akademi, e nisur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, synon të fuqizojë udhëheqëset gra për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre me sa më shumë efikasitet./ db/Abcnews.al