Tirana ditën e djeshme në mënyrë të befasishme u përball me largimin e Nevil Dedes nga stoli bardheblu. Pas gjithë ngjarjeve të ndodhura ekipit kampion i duhet një trajner i ri dhe koha nuk premton shumë.
Si gjithmonë në të tilla raste kandidatët për stolin janë të shumtë, teksa edhe vetë Halili dje u shpreh se është i paqartë se kë do të sjellë në krye të skuadrës, por theksoi se nuk do të vendosë një trajner që punon analist në studio televizive.
Kandidatët e parë për tu vënë në krye të stolit të Tiranës ishin Alban Bushi, Skënder Gega dhe Bledar Devolli. Dy prej tyre (Devolli dhe Bushi) janë në punë aktualisht, ndërsa Gega ka një të shkuar të lavdishme me Partizanin dhe nuk dihet nëse do pranonte të drejtonte bardheblutë, por nga ana tjetër edhe nëse Halili do i bëjë ofertë atij.
Ndërkohë këtë pasdite u publikuan edhe dy kandidatë të tjerë: Armando Cungu dhe Orges Shehi, të dy të papunë prej muajsh. Cungu ka treguar se di të karikojë shpejt skuadrat e tij, ndërsa Shehi e mori Kukësin afër fundit të sezonit vjet dhe nuk arriti të shmangë fitimin e titullit nga bardheblutë.
Ndërkohë flitet se në listën e Halilit është edhe një tjetër teknik, i cili në fakt është brenda familjes bardheblu. Bëhet fjalë për Gentian Stojkun. Kaq shumë kandidatë për një vend te bardheblutë, që kanë përpara një zgjedhje të vështirë. Për momentin situata nuk është ende e qartë dhe është e vështirë që sot kjo listë të shkurtohet sepse e sotmja ka qenë ditë heshtjeje dhe reflektimi te Tirana. /abcnews.al