Gjykata le në burg suedezin me 19 pistoleta

schedule14:35 - 16 Gusht, 2018

schedule 14:35 - 16 Gusht, 2018

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 21 vjeçarin suedez Rickard Sebastian Vall. Ai u arrestua në 14 gusht në doganën e Muriqnit, teksa po tentonte të kalonte 19 pistoleta drejt Malit të Zi. Në gjykatë i riu tha se ishte vetëm transportues dhe se e kishte bërë gjithçka për para.

“E kam bërë për para. Unë jam vetëm transportuesi”.
Rickard Sebastian Vall, 21 vjeçari suedez i arrestuar në 14 gusht në pikëkalimin kufitar të Muriqatit me 19 pistoleta me vete dha këtë shpjegim në seancën e caktimit të masës së sigurisë tek Krimet e Rënda. Me kërkesë të prokurorit, gjyqtari Sandër Simoni caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, paçka qëndrimit pohues për përfshirjen në trafikun e armëve.

“Kam udhëtuar me avion nga Suedia drejt Kosovës me një linjë tranzit nga Turqia. Qëndrova katër ditë në Prishtinë ku edhe bleva pistoletat tek një person që nuk ia dija emrin. Do të kthehesha në Suedi në rrugë tokësore, fillimisht me linjë autobusi nga Kosova në Gjermani e më tej në Suedi. Kisha nevojë për para, pasi isha i papunë. Doja të studioja, por nuk kisha mundësi”, tha Vall në sallën e gjyqit.

I dyshuari nuk rrëfeu vlerën e blerjes së pistoletave dhe as porositësit e saj në Suedi. Prokurori Vladimir Mara tha se 21 vjeçari po hetohet për akuzën e “trafikut të armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorit, Vall u ndalua nga kontrolli policor në doganën e Muriqanit, teksa autobusi i tij po dilte nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Me ndërmjetësimin e përkthyesit dhe avokatit të tij Stefan Topalli, Val kërkoi një masës sigurie me afat 2 mujor, kërkesë që nuk u mor parasysh nga gjykata. Në sallën e gjyqit nuk ndodhej asnjë përfaqësues i ambasadës suedeze në Tiranë, por ABC News mësoi se ai është kontatuar nga përfaqësues të ambasadës në ambientet e praburgimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!