Në Boboshticë është festuar dita e rakisë së manit. Kjo fillon me momentin kur banorët, pasi kanë vjelur frutin vendosin kazanet e rakisë dhe prodhojnë pijen sipas metodës artizanale.
Manat janë vjelë dhe boboshtarët në oborre kanë vënë kazanet e rakisë. Banorët që kanë mbetur në fshat, nuk heqin dorë nga tradita e trashëguar ndër breza. Më së shumti, e prodhojnë për vete dhe për të nderuar miqtë, që ju vijnë në shtëpi. Rakija e manit, frutit të ëmbël që nxjerr raki të fortë, vazhdon të prodhohet në mënyrë artizanale dhe të pandryshuar, duke i dhënë produktit shije unike.
Bashkia e Korçës ka menduar ta kthejë në festë lokale, prodhimin e rakisë së manit,duke synuar promovimin e traditës dhe zhvillimin e turizmit lokal.
Sotiraq Filo, kreu i Bashkisë Korçë: “Ne po synojmë që dalëngadalë ti bëjmë që të vizitojnë edhe fshatrat e Bashkisë së Korçës.”
Festës në Boboshticë i janë bashkuar edhe qytetarë nga Korça, për të cilët është e njohur cilësia dhe shija e rakisë së manit.
Banori 1:“Boboshtica ka qenë tradita dhe vendi i rakisë më të mirë të manit.”
Banori 2:“Gjithmonë të tilla të kemi përherë. Na bëhet qefi që jemi këtu.”
Boboshtica dhe Drenova janë fshatrat që ende e mbajnë të gjallë traditën e prodhimit të rakisë së manit. Zonjat e shtëpisë e servirin bashkë me reçelin ose glikonë./abcnews.al