Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në “ABC” përballë gazetaren Jonida Shehu rrëfeu se cilat janë prioritetet e tij në këtë post. Për momentin tha ai, janë zgjedhjet. “Puna ime do të fokusohet te zgjedhjet, janë prioritet këtë tre mujor. Policinë do ta mbajmë aty ku e lejon ligji, asnjë gjysmë hapi më shumë sesa e lejon ligji. Aty ku e lejon ligji pa diskutim. Për fat të mirë policia ka pasur vlerësime edhe nga OSBE-ODHIR për sjelljen në procesin zgjedhor”.
Por nëse nuk do të ishin zgjedhjet? Çuçi tregoi prioritetet e tjera, që në fakt shtrihen pas 25 prillit. “Dy nga drejtimet e mia, prioritetet do të jenë, një lufta ndaj krimit ekonomik dhe korrupsioni brenda radhëve të policisë, këto të dyja janë prioritete më të spikatura në axhendën time si ministër i Brendshëm, pasi mendoj se ka vend për përmirësim.
Pastaj kam prioritet mbylljen e një kapitulli dhjetra vjeçar të mungesës së adresave të shqiptarëve. Unë kam filluar por fokusi do të jetë pas zgjedhjeve, pasi edhe deri ditën e zgjedhjeve duhet të ruajmë të njëjtën strukturë për të mos krijuar konfuzion. Unë kam prioritet që brenda këtij viti të kemi një regjistër kombëtar me një kolonë të qartë për cdo shtetas me adresën ku është rezident” tha ai./ db/Abcnews.al

