Më 15 qershor të vitit të shkuar në një ndeshje ndaj Rizepor në Superligën turke, Fernendo Muslera, portieri uruguaian pësoi një dëmtim të rëndë në gju në një duel me sulmuesin çek, Milan Skoda.
Pas kësaj atij iu desh t’i nënshtrohej fazës së rikuperimit, por mori një tjetër goditje: vdekjen e nënës së tij. Gjithsesi ai arriti të ringrihej dhe të gjejë forcën dhe dje pas shtatë muajsh, saktësisht 221 ditësh nga ai dëmtim i rëndë, Muslera është kthyer në fushë me Galatasarayn në një ndeshje zyrtare.
Kthimi i tij u festua në mënyrën e duhur sepse Galata arriti të fitojë me shifra e thella 6-1 ndaj Denizlispor. Pas ndeshjes Muslera foli për mediet dhe tregoi gjithë vështirësitë dhe kalvarin e vuajtjeve, që fatmirësisht morën fund dje për uruguaianin.
“Kam kaluar 7 muaj shumë të komplikuar. Dëmtimi dhe më pas vdekja e nënës sime. Në këtë periudhë familja ime, shokët e skuadrës dhe trajneri më kanë qëndruar gjithmonë afër. Menduam se do ishte mirë të ktheheshim sot. Ishte periudhë e vështirë, por sot u ktheva dhe morëm një fitore të madhe”, u shpreh 34-vjeçari. /abcnews.al