Roma zyrtare vazhdon të këmbëngulë, se nuk ka ndërmend të presë në portet e saj, anijen me 141 emigrantë, e të njëjtën përgjigje jep edhe Madridi, duke bërë që Aquarius, të mbetet sërish në ujë, në pritje të një porti të sigurtë për t’u ankoruar.
Qeveria britanike është e fundit që ka reaguar për 141 emigrantë që ndodhen në anijen Aquarius ende në ujë pasi asnjë port nuk pranon ti presë. Në një deklaratë për shtyp, qeveria britanike shprehet e shqetësuar për emigrantët, por thekson se dihet që përgjegjësia për zbarkimin e tyre në portin më pranë dhe të sigurtë, duhet të koordinohet me rojet bregdetare dhe komandantin e anijes. Në një përgjigje zyrtare për Romën, e cila një ditë më parë i adresonte përgjegjësinë, Mbretëria e Bashkuar shprehet e gatshmë të bashkëpunojë me partnerët europianë për tu përballur me sfidën e emigracionit të paligjshëm.
Qeveria spanjolle nga ana e saj nuk duket e gatshme të presë në portet e saj anijen me emigranë duke shtuar se Spanja nuk është porti më i sigurtë pasi nuk është më i afërti, ashtu si udhëzon dhe e drejta ndërkombëtare. Sipas të dhënave më të fundit të publikuar nga Frontex, në muajin korrik janë shënuar 83 për qind më pak zbarkime emigrantësh në krahasim me korrikun e një viti më parë./abcnews.al