Kurti: Ndryshimi i kufijve, pasoja të rënda

schedule20:52 - 13 Gusht, 2018

schedule 20:52 - 13 Gusht, 2018

Albin Kurti ka deklaruar se ndryshimi i kufijve mund të rikthejë konfliktet e armatosura në Ballkan. Ndërsa ka akuzuar presidentin Thaçi se po bën pazar me Kosovën për interesa personale, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar se territoret nuk duhet të sakrifikohen as për hir të bashkimit me Shqipërinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se idetë për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh janë negative dhe rrjedhimisht mund të kenë pasoja të rënda. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Kurti është shprehur se deklaratat e fundit të presidentit Hashim Thaçi në këtë drejtim lidhen me projektet personale të tij.

Albin Kurti: “Synimet për korrigjim territoresh ose shkëmbim territorial janë synime të gabuara, që do të kenë pasoja të dëmshme. Korrigjimi i kufijve bëhet për arsye minore që maten prej dhjetëra apo qindra hektarësh maksimalisht, por kurrësesi me një krahinë të tërë siç është ajo e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Për bindjen time, ajo çfarë po ndodh më shumë ka të bëjë me tendencën e tij (Thaçit) që të jetë sa më larg Gjykatës Speciale që e ka imponuar vetë, sesa që Kosova të jetë më afër shtetndërtimit apo integrimeve evropiane”.

Në vijim të intervistës, Kurti ka theksuar se Kosova ka nevojë ta bashkojë më shumë Mitrovicën e jo të bëjë pazare territoresh me Beogradin, për hir të një aventure personale, siç e ka quajtur ai, të presidentit Thaçi.

Albin Kurti: “Bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm se ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nonëse edhe kjo tjetra është e rëndësishme, bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm dhe duhet të jetë përparësi e shtetit tonë dhe e dyta është që serbët e Kosovës janë shumë më të rëndësishëm se Beogradi”.

Kurti ka shtuar më tej se, Kosova nuk duhet të sakrifikojë territore as për hir të bashkimit me Shqipërinë, që sipas tij duhet arritur në mënyrë tjetër e jo me ndryshim kufijsh.

Albin Kurti:  “Unë jam kundër idesë që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë ta falim veriun e Kosovës, Trepçën, Ujmanin apo ta pranojmë ndarjen e qytetit të Mitrovicës. Forcimi i shtetit të Kosovës, përmbyllja e shtetndërtimit, zhvillimi ekonomik, ngritja e Kosovës si të tillë është në funksion të bashkimit me Shqipërinë dhe jo anasjelltas”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!