Sapo ishte rrëzuar diktatura komuniste. Qeveritë rrëzoheshin njëra pas tjetrës për shkak të situatës politike pa stabilitet, por edhe varfërisë… Ka mbetur në memorien e atyre që ndoqën situatën politike të asaj kohe thënia e njërit prej kryeministrave të pesë qeverive që u ndryshuan prej dhjetorit 1990 deri në 22 mars 1992.
“Kemi edhe gjashtë ditë bukë”. Ishte një konstatim dramatik, i artikuluar nga kryeministri i qeverisë së stabilitetit Ylli Bufi, në vjeshtën e vitit 1991.
Menjëherë pas kësaj deklarate, Ylli Bufi do të largohej si kryeministër, jo për shkak të saj, por për shkak të situatës së ngarkuar politike dhe varfërisë. Dhe pas qeverisë së stabilitetit, do të vinte qeveria teknike e Vilson Ahmetit, një inxhinier që i përkiste skalionit të dytë të politikës, ose pjesës së intelektualëve pranë PPSH-së. Ai e drejtoi vendin deri në zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Në Shqipërinë ku numëroheshin ditët e rezervës së bukës, qeveria Ahmeti kishte arritur të nënshkruante marrëveshje të rëndësishme tregtare ndërkombëtare. Një prej tyre është marrëveshja e nënshkruar me një kompani që shumë pak kohë më pas do të rezultonte fantazëm.
Sipas kësaj kontrate do krijohej një kompani e përbashkët italo-shqiptare midis ILIRIA SRL dhe ndërmarrjes Komunale në Plazhin e Durrësit për zhvillimin e plazhit të këtij qyteti.
Kjo zonë në atë kohë nuk kishte asnjë lloj ndërtimi, përveç disa barakave që quheshin kabina plazhi dhe kavaleshencës së ministrisë së brendshme dhe asaj të mbrojtjes. ILIRIA SRL ishte një sipërmarrje e shtetasit Italian nga Napoli, Angelo Frasciono.
Kontrata me kompaninë italiane është firmosur në mars të vitit 1992, kur Partia Demokratike ishte drejt fitores në zgjedhjet parlamentare. Nis aty, historia e re e Shqipërisë në pluralizëm bashkë me hijet e historisë së re të korrupsionit qeveritar.
Ndërkohë që situata politike dhe sociale ishte ende e pastabilizuar, investitori italian u largua nga Shqipëria dhe kontrata mbeti pezull. Me të nisur punën, qeveria Meksi do të merrte vendimin për ta anuluar këtë kontratë me kompaninë italiane, e cila kishte rezultuar të ishte një kompani fantazëm. Por sipërmarrësi Italian mori vendimin për të hapur proces gjyqësor kundër qeverisë shqiptare. Ish-avokatja e shtetit Ledina Mandia, na tregon detaje të kësaj historie.
“Si përfundim ajo marrëveshje ishte e pavlefshme. Pra do të thotë që në momentin ku kemi një marrëveshje të pavlefshme të arbitrazhit, kuptohet që çdo pretendim tjetër në lidhje me ekzekutimin e tij bie poshtë sipas Konventës së New York dhe u kërkua refuzimi i njohjes. Është një procedurë që kaloi në Gjykatën e Lartë u fitua nga ana e shtetit shqiptar, u kalua në Gjykatë Kushtetuese dhe u fitua atje. Mesa jam në dijeni është adresuar në Gjykatën Evropiane të të drejtave të Njeriut”, u shpreh ajo.
Lexo edhe: Shqipëria në Arbitrazh, ekspertët: Pse qeveria po humb gjyqet më të rëndësishme
Në vitin 1993, qeverisë shqiptare i erdhi një faturë prej 48 miliard lireta ose rreth 24 milion euro, shumë që duhet t’i paguhej sipërmarrësit italian.
Historia e çështjeve të humbura të palës shqiptare në arbitrazh nis pikërisht me rastin e kësaj kompanie italiane, problematika e së cilës është ende aktuale.
Çështja e arbitrazhit me sipërmarrësin Italian, mbeti për rreth 25 vjet në heshtje. Papritur në vitin 2014, sipërmarrësi Italian kujtohet dhe i rikthehet procedurave për t’i marrë paratë qeverisë shqiptare që kishte prishur kontratën në vitin 1993.
“Në vitin 2014, ndërkohë që ky vendim ishte i vitit ’93, kujtohet që të kërkojë ekzekutimin e vendimit në Itali. Zakonisht ekzekutimi i vendimit kërkohet në shtetin ku ka asete pala e detyruar. Do të thotë që morën një informacion që pala shqiptare kishte pasuri në shtetin italian dhe atje mund të njihej dhe të ekzekutohej lehtësisht vendimi. Në rastin konkret është me rëndësi të thuhet pavlefshmëria e marrëveshjes së arbitrazhit”, sqaron ajo.
Në këtë kohë, pra në vitin 2014, qeveria shqiptare nuk kishte asnjë informacion lidhur me këtë çështje. Institucionet njihen me çështjen në momentin kur u bllokuan llogaritë e konsullatës shqiptare në Milano.
Më pas institucionet nisën me nxitim të reagojnë duke kërkuar të kontraktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë një studio ligjore italiane. Në vitin 2015, avokatja e përgjithshme e shtetit Alma Hiçka, e kërkoi me urgjencë këtë studio ligjore por më 11 maj 2015 ministri i drejtësisë së kohës, Nasip Naço, e kundërshtoi procedurën duke argumentuar se po shmangej konkurrimi dhe kjo mund të sillte një situatë abuzimi. Pak ditë më pas, nisi procedura e konkurrimit dhe më 22 maj u përzgjodh një studio ligjore fituese, e cila do të mbronte shtetin shqiptar në këtë çështje.
Kanë kaluar gati gjashtë vjet, por ende nuk ka asnjë rezultat që mund ta shpëtojë shtetin shqiptar nga detyrimi për t’i paguar sipërmarrësit Italian faturën, që tashmë bashkë me kamatë – vonesën shkon në 141.5 milion euro, bazuar mbi vendimin e gjykatës së arbitrazhit. Një histori arbitrazhi që shtrihet thuajse në 30 vjet, si pasojë e vendimit të një qeverie tranzitore.
Historia përsëritet me një tjetër sipërmarrës Italian. Është një kontratë e nënshkruar nga një qeveri tranzitore, ajo e Pajtimit kombëtar.
Në vitin 1997, pas trazirave të atij viti, qeveria e pajtimit kombëtar do të drejtonte vendin deri në zgjedhjet e 29 qershorit. Qeveria drejtohej nga kryeministri Bashkim Fino. Në atë kohë, qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë me sipërmarrësin Italian, Francesko Becheti për ndërtimin e një hidrocetrali në Kalivaç. Ky HEC nuk u ndërtua asnjëherë.
Shumë vite më vonë, në vitin 2013, sipërmarrësi Italian u kthye në Shqipëri me investime të reja, përmes shoqërisë mediatike “Agon Set”.
Por dy vite më vonë, kur në pushtet ishte kryeministri Edi Rama, televizioni i sipërmarrësit Italian nisi një betejë me qeverinë e kryeministrit Rama, e cila përfundoi me sekuestron mbi televizionin dhe të gjitha bizneset që sipërmarrësi Italian dhe ortakët e tij kishin në Shqipëri. Bashkë me të edhe koncesionin për ndërtimin e HEC-it të kalivaçit.
Kryeministri Rama i konsideronte si biznese që lidheshin me fonde financiare të dyshimta.
Ndërkohë sipërmarrësi Italian e dorëzoi çështjen në gjykatën e Arbitrazhit dhe më 24 prill 2019, Gjykata e Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) pranë Bankës Botërore, arriti në përfundimin se qeveria shqiptare, me vendimet e saj, ka shkatërruar investimet e bëra nga Bechetti dhe ortakët e tij në shoqërinë mediatike Agon Set.
Fatura që gjykata e arbitrazhit i dërgoi qeverisë shqiptare ishte 110 milionë euro.
Sipërmarrësi Italian e cilësoi sjelljen e kryeministrit dhe qeverisë së tij si një persekutim politik që i ishte bërë për shkak se televizioni i tij ishte opozitar me qeverinë. Becheti e cilësoi një luftë politike dhe masat ndaj kompanive të tij si pasoja të sjelljes arrogante të shtetit shqiptar ndaj sipërmarrjes.
Mbi këto akuza u bazua gjykata e arbitrazhit për t’i dhënë të drejtë sipërmarrësit Italian. Ndërsa qeveria shqiptare refuzoi të ulej në negociata për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kontratës së nënshkruar, duke i sjellë vendit fatura financiare të larta.
“Qoftë kontratat individuale qoftë ligji për investimet, parashikojnë një fazë negocimi për gjetjen e një zgjidhej për mosmarrëveshjen në fjalë. Nuk më rezulton që të kenë zgjidhur marrëveshje pa shkuar në arbitrazh dhe ndërkohë kjo është kosto. Në parim nuk ka investitorë që të dojë të shkojë në arbitrazh”, shprehet Flutura Tafaj.
“Qasja pas një vendimmarrje të arbitrazhit ka synuar të shtyhet sa më shumë në kohë ekzekutivi dhe pavarësisht se shteti synon të mos paguajë një detyrim të caktuar, bën që shteti shqiptar të humbasë seriozitetin”, sqaron Joana Qeleshi.
“Dimë që fatura e arbitrazhit është shumë e lartë. Më e mira do të ishte duke kontrolluar çdo hap në zbatimin e kontratës”, thotë Mandija.
Një tjetër kontratë, që do të kishte të njëjtin fund është edhe ajo vitit 2004, kur qeveria në largim e Fatos Nanos, nënshkruan një kontratë me General Electrics për ndërtimin e trenit elektrik Tianë-Durrës.
Një vit më pas, kur Partia Demokratike kishte fituar zgjedhjet dhe kryeministër ishte Sali Berisha, qeveria shqiptare vendosi ta prishte kontratën.
General Elektric e çoi çështjen për gjykim në arbitrazh dhe shteti shqiptar duhet të paguajë një faturë tjetër prej rreth 15 milion dollarë.
Në tre vitet e fundit, zyrtarë dhe ministra të qeverisë Rama, prezantuan me bujë të madhe projekte shpëtimi siç ishte ai i përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe.
Kompania Joint Venture “Dondi Kubota”, u përzgjodh të ndërtonte këtë sistem, por shpejt kontrata u prish nga ana e shtetit shqiptar dhe kjo kompani kërkoi në gjykatën e arbitrazhin në Londër, 90 milion dollarë.
Më 10 tetor 2018 qeveria do të shpallte kompaninë fituese që do të ndërtonte parkun e parë fotovoltaik në Shqipëri, atë të Akërnisë. U shpall fituese për këtë projekt konsorciumi “India Poëer Corporation LTd”, por dy vite më pas, kontrata me këtë bashkim kompanish nuk u nënshkrua asnjëherë.
Listës së gjatë të gjyqeve në arbitrazh do t’i shtohej edhe kjo çështje dhe për këtë prishje të kontratës konsorciumi kërkoi 110 milion euro dëmshpërblim.
Ndërkohë, një tjetër çështje arbitrazhi e detyron shtetin shqiptar të paguajë 44 milion dollarë.
Është fjala për arbitrazhin e fundit, ku kompania greke “Actor”, e cila ndërtoi lotin e tretë të rrugës Tiranë-Elbasan, por shteti shqiptar nuk i njohu një pjesë të punimeve që kishte kryer.
Sipas ekspertëve, kjo është një çështje e cila duhet të verifikohet nga prokuroria.
“Jemi para një situate ku situacionet nuk janë njohur nga ana e autoriteteve në lidhje me punimet e kryera. Mendoj se tashmë SPAK i ka strukturat përkatëse dhe duke dëgjuar denoncimet që bëhen duhet t’i hyjë kontratave të mëdha, dhe të shihet si kemi ardhur në dyfishim të çmimeve”, sqaron Mandija.
Këto raste, tregojnë qasjen që kanë autoritet shqiptare në lidhje me nënshkrimin dhe zbatimin e kontratave të nënshkruara mes kompanive të huaja dhe shtetit shqiptar, të cilat i kanë sjellë shqiptarëve ndër vite qindra miliona euro dëme. Sipas ekspertëve, në shumicën e rasteve faturat e arbitrazhit i vijnë shtetit shqiptar për shkak të arrogancës së drejtuesve të institucioneve shqiptare, por edhe për abuzime korruptive./abcnews.al/