Dialogu me Prishtinën, Vuçiç nis ofensivën diplomatike

schedule13:21 - 13 Gusht, 2018

schedule 13:21 - 13 Gusht, 2018

Në një kohë që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka hyrë në fazën përfundimtare për arritjen e një marrëveshjeje, mediat serbe raportojnë se Vuçiç po ndërmerr një ofensivë të ashpër diplomatike.

Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës do të vijojë në më pak se një muaj. Blici serb raporton se zyrtarët e lartë në Serbi kanë ndërmarrë një ofensivë të ashpër diplomatike për në shtator. Sipas të përditshmes serbe, që citon burime pranë qeverisë në Beograd, zëvendës presidenti i Indisë do të jetë në Beograd këto ditë. Më pas president serb Aleksandër Vuçiç do të takohet me kreun e Kremlinit Vladimir Putin.

E ndërsa çdo gjë rreth takimit është vendosur ajo që s’dihet është qyteti rus ku dy presidentët do të takohen. Vuçiç do të udhëtojë në Rusi për tu konsultuar me Putin para asamblesë së përgjithshme të kombeve të bashkuara në 24 – 28 shtator ku kreu i shtetit serb do të mbajë një fjalim. Vuçiç do të takohet me presidentin amerikan Tramp në këtë asamble, vijon më tej artikulli i Blic, por gjithashtu do të takohet me shumë anëtarë të administratës Tramp gjatë kohës që do të qëndrojë në Nju Jork.

Para këtyre takimeve ndërkombëtare, Vuçiç do të vizitojë Kosovën dhe do të flasë me serbët atje. Por ai do të udhëtojë dhe në Kinë ku do të marrë pjesë në një forum ekonomik. Brenda këtij viti presidenti i Francës Emanuel Makron, pritet të vizitojë Serbinë në datat 3 dhe 5 dhjetor, përfundon artikulli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!