Atletja shqiptare, Luiza Gega, bëri një paraqitje shumë të mirë, por nuk arriti të fitonte dot medalje në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Berlin. Rekordmenia e Shqipërisë u rendit e katërta në garën e 3 000 metrave me pengesa, duke e humbur medaljen e bronzit vetëm për 32 të qindat e sekondës.
Gega arriti kohën 9 minuta, 24 sekonda e 78 të qindat, por tre garueset e tjera ishin shumë të forta dhe të paarritshme për të.
Atletja 29-vjeçare nuk arriti dot suksesin e vitit 2016 në Amsterdam, kur doli nënkampione e Europës, ndërsa në karrierë ka dalë dy herë kampione e Lojrave Mesdhetare.
Kampione e Europës u shpall atletja gjermane, Gesa Krauze, me kohën 9 minuta, 19 sekonda e 80 të qindat./abcnews.al