VIDEO/ Superkupa e Bilbaos, perla e Williams thyen Barçën. Messi lajthit në fund

schedule23:32 - 17 Janar, 2021

schedule 23:32 - 17 Janar, 2021

Trofeu i Superkupës së Spanjës shkon për Athletic Bilbaon, që e fiton për herë të tretë në histori. Baskët triumfuan 3-2 ndaj Barcelonës në finalen që u luajt në “Estadio de La Cartuja” të Sevillas.

Leo Messi ia doli të rikuperohet dhe e nisi ndeshjen si titullar. Golat dhe emocionet ishin ruajtur për pesë minutat e fundit të pjesës së parë. Antoine Griezmann tundi rrjetën në minutën e 40-të.

Sulmuesi francez finalizoi një aksion të bukur dhe të shpejtë të skuadrës së tij. Baskët reaguan shpejt dhe gjetën barazimin dy minuta më vonë. Asist shumë i bukur i Inaki Williams dhe gol i Oscar de Marcos.

Bilbao e nisi mirë edhe pjesën e dytë. Raul Garcia realizoi në minutën e 58-të, por VAR-i anuloi festën baske për pozicion të parregullt të sulmuesit 34-vjeçar. Barcelona përfitoi dhe kaloi sërish në avantazh në minutën e 76-të.

Asist i Jordi Alba nga krahu i majtë dhe rrjetë e sulmuesit francez, i cili po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë. U mendua se Barcelona siguroi fitoren, por Athletic Bilbao barazoi shifrat në minutën e fundit.

Asier Villalibre shfrytëzoi një top të ardhur nga goditje e dënimit dhe mposhti Ter Stegen, duke dërguar sfidën në shtesa. Goli i dha zemër skuadrës baske, që gjeti golin e fitores në minutën e 93-të.

Eurogol i Inaki Williams, yllit të Athletic Bilbaos. Kryevepra e sulmuesit rezultoi decizive, Barcelona nuk pati më forcë për të reaguar, teksa Leo Messit e lanë nervat në sekondat e fundit.

Ylli argjentinas u ndëshkua me të kuqe pas goditjes së një lojtari kundërshtar. Në fund shpërtheu festa e djemve të Marcelinos, që ia dolën të fitojnë Superkupën e Spanjës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!