Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 20 janar nuk do të ndodhë vetëm ceremonia e betimit të Joe Biden dhe Kamala Harris. Por dhe procesi për shkarkimin e Donald Trump që do të nisë vetëm një orë pas ceremonisë së rivalit demokrat në zgjedhjet e 2020-ës.
Ndoshta Donald Trump po përpiqet të prishë momentin aq të shumëpritur të presidentit të ri Joe Biden? Ndoshta po.
Kush e di sa herë Donald Trump do ketë menduar të prishë ceremoninë e betimit të Joe Biden. Duke imagjinuar një dalje nga skena me stil hollivudian.
Ose ndoshta duke premtuar një rikthim në zgjedhjet e ardhshme duke theksuar se ato të 2020-ës iu vodhën.
E po, pa asnjë nga këto opsione, Trump mund të arrijë qëllimin për t’i hequr vëmendjen rivalit demokrat. Dhe jo vetëm ditën e inaugurimit.
Por për plot 100 ditët e para të administratës. Si?
Nëse do të respektohen afatet kohore, në 20 janar, një orë saktësisht pas betimit të presidentit të 46-të të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të nisë procedura e shkarkimit ndaj komandantit të përgjithshëm në largim, dhe në mënyrë të pashmangshme e gjithë vëmendja do të jetë atje.
Donald Trump akuzohet se ka nxitur sulmin ndaj kongresit, në ngjarjet e 6 janarit. Por shkarkimi për të pasur një pasojë konkrete, duhet të marrë miratimin e dy të tretave të senatit dhe mbështetja e shumë senatorëve republikanë do të jetë e domosdoshme.
Të njëjtit që kundërshtojnë procesin por tek të cilët Biden synon të mbështetet për të nisur punën si president duke miratuar ekzekutivin e ri dhe një paketë të rëndësishme ekonomike në mbështetje të emergjencës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Pa mbështetjen dypalëshe, 100 ditët e para të qeverisë Biden – Harris do të jenë shumë të komplikuara./abcnews.al