Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është rikthyer të flasë për situatën në ekip. Në një intervistë për “Il Corriere dello Sport”, 39-vjeçari tregon atmosferën te kuqezinjtë si dhe flet për të ardhmen e tij. Bomberi ndalet dhe tek eksperienca që pati me koronavirusin, por prek dhe marrëdhënien e tij me trajnerin Pioli.
ATMOSFERA TE MILANI – “Sot ndihem si një udhëheqës këtu, ekipi më ndjek. 10 vite më parë ishte një Milan tjetër. Vitin e kaluar gjeta një ekip të ri. Ne punojmë dhe sakrifikojmë shumë. Rezultatet nuk janë vetëm merita ime. Jemi duke bërë gjëra të mëdha, por ende nuk kemi fituar asgjë. Për titullin është shumë shpejt për të menduar. Ata që dalin në vend të dytë janë humbësit e parë. Unë thjesht dua të jap më të mirë time për këtë ekip, edhe gjatë seancave stërvitore”.

DONNARUMMA DHE E ARDHMJA – “Ai është portieri më i mirë në botë, por këtë gjë nuk ia them kurrë. Duhet të vazhdojë me këtë ambicie, por nuk është normale që nuk ka luajtur kurrë në Champions League. Për sa më përket mua do të vazhdoj të luaj për sa kohë ndihem mirë. Sfida ime tashmë është që të zhvilloj një ekip të ri, ndryshe nga se kam bërë më parë”.
MARRËDHËNIA ME PIOLIN – “Më pëlqen ajo që ai më thotë, ndihem mirë si brenda ashtu dhe jashtë fushës me të. Stefano e provoi se mund të jetë trajner i një klubi të madh. Sezonin e kaluar e ardhmja e tij ishte në dyshim, por me punën e bërë tregoi vlerat e tij”.

COVID-19 DHE DHURATAT PËR SHOKËT E EKIPIT – “Isha izoluar në një dhomë, duke biseduar me muret. Isha duke pritur për simptomat dhe ato u shfaqën. Së pari dhimbje koke, më pas shpine, por nuk kam patur kurrë ethe. Pas 16 ditësh mjekët më thanë se isha negativ. U përpoqa të stërvitesha në shtëpi, por lodhesha menjëherë. Play Station 5 ia bëra dhuratë djemve. Unë vetëm pyeta se kush e dëshiron, ata që nuk folën ishte tëpër vonë më pas”, përfundon Ibrahimovic. /abcnews.al


