Që të futesh në Obot është vetëm ky mjet që po kryen edhe punën e taksistit për të transportuar banorët dhe nevojat që ata kanë.
Është mjeti i forcave të ushtrisë të repartit të Vaut të Dejës, i cili qarkullon përgjatë gjithë ditës në këtë aks rrugor. Duket se niveli i ujit ka rënë por ende është e pamundur që mjetet e ulëta të kalojnë.
Edhe pse reshjet kanë pushuar banorët vazhdojnë të jenë të izoluar. Për punët që mund të kenë jashtë fshatit ju duhet të lëvizin me mjetin e ushtrisë ndërsa dëmet prej përmbytjeve nuk I llogarisin dot.
“E bëj çdo ditë këtë rrugë me makinën e ushtrisë. Më janë dëmtuar gjithë të mbjellat. Ushqime për kafshët dikush ka dikush s’ka por ja u ka marrë dhe uji. Çfarë mbledhim në verë na i merr uji në dimër. Ende me kredi jam.”
“Kam 10 krerë lopë, tagjinë e ka marrë të gjithë uji dhe serat na janë dëmtu. Se vlerësojmë dot dëmin kur të vijë komisioni do e marrim vesh, thotë një banor tjetër.”
Kola, banor autokton i Obotit nuk kërkon asgjë vetëm të zgjidhet problemi i përmbytjeve.
“Asgjë s’kërkojmë as ndihma asgjë,vetëm mos të kemi më ujë!”
Por përse Oboti përmbytet çdo vit?
Vërshimet nga liqeni dhe shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe si pasojë e fryrjes së lumit Buna. Siç mund të shihet, këtu ka një rrjedhje të jashtëzakonshme të ujit përmes tombinos të vendosur në këtë rrugë, që shkakton përmbytje në këtë fushë. /abcnews.al/