Forca e Sigurisë së Kosovës pas reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, iu ka ndalë në ndihmë qytetarëve të cilët janë prekur nga vërshimet.
Njësitet e specializuara për reagim në kriza dhe ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së iu kanë dalë në ndihmë qytetarëve dhe insitutioneve shtetërore në përballimin e situatës.
Përmes një komunikate për media, FSK ka treguar për aktivitetet që janë zhvilluar qe një javë.
“Pas vërshimeve të para (06.01.2021), FSK-ja ka marrë masat për të vlerësuar situatën në teren, duke angazhuar Kompaninë për Operacione me Civil, në nivel vendi. Më datën 08.01.2021, janë pranuar kërkesat e para për mbështetje nga Komuna e Gjakovës, përmes Institucioneve Qeveritare për t’i mbështetur autoritetet civile, për zhvendosjen dhe strehimin e 55 qytetarëve në Aeroportin e Gjakovës”, thuhet në njoftim.
FSK ka bërë të ditur se është intervenuar në fshatin Kuzmin të Fushë Kosovës ku janë shpëtuar tre qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre.
“Në ditët në vazhdim; ekipet e Kërkim – Shpëtimit kanë intervenuar në fshatin Kuzmin të Fushë Kosovës, ku kanë shpëtuar 3 qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre. Operacionet e FSK-së, kanë vazhduar edhe me 10, 11 e 12 janar, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve në përballimin e situatës emergjente. FSK-ja i ka dalë në ndihmë Policisë së Kosovës, në pengimin e përmbytjes së objektit të Forenzikës të Policisë së Kosovës, ku janë angazhuar ekipet Xheniere të Gardës Kombëtare, gjithashtu kanë intervenuar edhe në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK-së, ku kanë penguar përmbytjen e objektit”, ka bërë të ditur FSK.
Në fshatrat Poklek, Shtrubullovë e Komoran janë shpëtuar 43 qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre. Po ashtu në fshatin Volljakë të Klinës janë shpëtuar tre banorë.
“Njësitet e Kërkim – Shpëtimit në ujëra, me datën: 11.01.2021, gjatë ditës dhe natës kanë vepruar në rajonin e Drenasit, në fshatrat Poklek, Shtrubullovë e Komaran, ku kanë shpëtuar 43 qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre. Ekipet e Kërkim Shpëtimit, po këtë ditë, kanë shpëtuar dhe evakuuar 3 banorë të fshatit Volljak të Klinës”, thuhet në komunikatë.
Në rajonin e Prizrenit FSK ka shpëtuar dhe evakuuar 16 persona.
Si pasojë e vërshimeve ka pasur dëme edhe në infrastrukturën rrugore, ndërkaq FSK ka ngritur ura mobile për t’u dalë në ndihmë bqytetarëve.
“Vërshimet kanë shkatërruar edhe infrastrukturën rrugore, ku janë dëmtuar disa ura. FSK-ja me ekipet e Xhenios, kanë bërë vlerësimin e urës së dëmtuar në fshatin Dobroshec të Drenasit dhe urës në fshatin Hajnoc të Kamenicës, me qellim të ngritjes së urave mobile të FSK-së për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, bën të ditur komunikata e FSK-së./abcnews.al