Kombëtarja e Anglisë sërish nuk do të luajë në një fushë të nivelit optimal në Shqipëri. Për ndeshjen e Botërorit në 28 mars, në “Arenën Air Albania” nuk mund të vendoset tapeti i ri me bar të kombinuar, natyral dhe artificial.
Na kanë pritur në fusha si qilim sa herë jemi ndeshur me ta. Kombëtarja shqiptare ka gjetur në Angli kushtet më të mira për të luajtur futboll, qoftë në 2001 apo në 1989, veçse nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur shpikësit e futbollit na kanë bujtur në shtëpi.
Edhe sfida e 28 marsit të këtij viti, që pritet të luhet në “Arenën Air Albania” për eliminatoret e Kupës së Botës, nuk do t’i shmanget normës, ashtu siç ndodhi në 1989 dhe 2001. 31 vite më parë drejtuesi i delegacionit anglez propozoi që ndeshja të mos luhej në “Qemal Stafa”, por në kompleksin Dinamo të sapo përuruar, fusha e të cilit ishte vërtet e shkëlqyer.
Problemi i fushës do t’ia heqë, me shumë mundësi, një pjesë të bukurisë edhe sfidës së 28 marsit, pasi plani i Federatës për një tapet të ri tashmë ka dështuar. Sipas specialistëve dhe drejtuesve, koha nuk premton që të hidhet sipërfaqe e re bari, që do të ishte i përzier, natyral dhe artificial.
Mbetet të bëhet mbjellje e re e barit për të përmirësuar fushën ekzistuese, e cila nuk ka qenë aspak e mirë që nga koha kur stadiumi përfundoi së ndërtuari. Që nga ndeshja e parë, ajo ndaj Francës për Euro 2020, dhe gjatë çdo sfide më pas, cilësia e fushës ka qenë pika më e dobët e “Arenës” që kushtoi mbi 60 milionë euro.
Burime në institucion pohojnë se është miratuar edhe fondi për këto punime. Vonesa është e madhe edhe për vendosjen e llambave ngrohëse, sidomos në krahun e portës jugore, që merr një sasi më të vogël dielli sesa pjesa tjetër.
Në Federatë u diskutua në dhjetor për një gjë të tillë, ndërsa sistemi i ngrohjes dhe ventilimit mund të vendoset në shkurt. Tapeti i ri me bar natyral e artificial, ndërkaq, mund të realizohet në qershor, dhe kostoja e përgjithshme e punimeve pritet të arrijë në 800-900 mijë euro. /abcnews.al