Tre viktima janë shënuar në Rripin e Gazës si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, që erdhën si kundëpërgjigje e hedhjes së raketave në Jug të shtetit hebre. I dërguari i organizatës së kombeve të bashkuara u shpreh i shqetësuar për situatën dhe u bëri apel palëve për armëpushim
Një natë lufte ajo e së mërkurës në Rripin e Gazës, rreth 150 raketa dhe bomba janë hedhur drejt jugut të Izraelit, i cili u kundërpërgjigj duke goditur 140 vendqëndrime dhe duke shkaktuar tre viktima. Mes viktimave është dhe një grua palestineze shtatzënë dhe vajza e saj. Të plagosurit janë 11 mes të cilëve një në gjendje të rëndë. Sirenat e alarmit në jug të Izraelit janë ndezur 125 herë dhe sistemi anti raketë sinjalizoi të paktën 25 raketa.
I dërguari i organizatës së Kombeve të Bashkuara Nikolai Mladenov u shpreh i shqetësuar për situatën gjithnjë e më të tensionuar, sidomos për raketat e hedhura kundër popullsisë në jug të shtetit hebre. Pasi përmendi përpjekjet e bëra për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve, Mladenov bëri apel për armëpushim. Ai paralajmëroi se nëse përshkallëzimi i tensioneve nuk ndalet, atëherë mund të ketë pasoja shkatërruese për të gjithë. /abcnews.al