Stafi i kuzhinierit të njohur Nusret në një prej restoranteve më luksoze në Dubai publikoi këtë video për të treguar frekuentimin masiv të ambienteve mbrëmjen e të shtunës. Për anëtarët e stafit ishte i panjohur fakti se në një prej tryezave qëndronin bashkë, ministrat shqiptar Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku dhe drejtori i komunikimit të kryeministrit, Endri Fuga dhe biznesmeni Samir Mane.
Video e darkës luksoze mesnata e së shtunës solli reagime të forta në rrjetet sociale për faktin se vendi ndodhet në situatë kritike për shkak të përmbytjeve. Përgjigje ndaj akuzave e dha fillimisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sqaroi se darka ishte me ftesë të një grupi investitorësh në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gjithçka ka qenë e paguar prej tyre.
Reagimet e forta pas publikimit të videos detyruan stafin e restorantit të heq menjëherë nga rrjetet sociale videon me zyrtarët e lartë shqiptarë. Luksin e tryezës dhe ambientit ku po darkonin zyrtarët e lartë të qeverisë e sulmoi edhe opozita përmes Edi Palokës.
“Kjo qeveri ka ministra si Etilda që paguajnë 700 euro natën në hotel, po ka dhe ministra që paguajnë 700 dollarë një pjatë . Ka ministra që vetëm xhupi ju kushton 3 mijë euro po ka dhe ministra si Balluku që mbajnë varëse 10 mijë dollarë në qafë…E imagjinoni që këta mbledhin vetëm grimcat e vjedhjeve që lë lubia në krye të qeverisë. Të gjitha këto mundësisht në kulmin e fatkeqësive për shqiptarët, kur njerëzit janë nën rrënojat e tërmetit apo nën ujin që i ka përmbytur. Pandemia qëndron në sfond ! Ju duhet dhe një mandat tjetër” tha Paloka.
Përgjegjësi për sjelljen e ministrave të tij kur vendi gjendet nën ujë ju kërkua edhe kryeministrit Rama, i cili nxitoi të fliste për një faturë të paguar nga investitorët.
Qëndrimi i tij erdhi si reagim ndaj një komentuesi në Twitter. Restoranti Nusret në Dubai është i njohur për shkak të mënyrës së shërbimit dhe prezencës së një prej kuzhinierëve të njohur në rrjetet sociale. Menuja e restorantit ka çmime që nisin nga 400 dollarë për një porcion prej 500 gram mishi./ /Abcnews.al