Mesfushori i Sassuolos, Manuel Locatelli, mund të transferohet tek Juventesi. Këtë fakt e ka konfirmuar vetë agjenti i lojtarit, Stefano Castelnuovo, gjatë një interviste për “Tuttosport” pikërisht para duelit të sotshëm mes dy ekipeve.
“Manuel kishte posterin e Pirlos në dhomën e tij dhe do të jetë emocionuese për të kur të përballet me Andrean këtë mbrëmje. Megjithatë, kjo nuk do të ndikojë aspak në performancën e tij sepse në ndeshjet e mëdha ai jep më të mirën në fushë. Juventus ishte i interesuar për ta transferuar klientin tim gjatë verës, por klubet nuk arritën një marrëveshje”, deklaron italiani.
“Nuk mund ta përjashtoj që kjo mund të ndodhë në të ardhmen. Manuel po bën mirë me Sassuolon dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës klubit. Nëse vjen një ofertë e bukur do të ishte mirë që të gjithë të gjejmë një marrëveshje. Sigurisht që duhet të jemi dhe me fat.
Një rikthim tek Milani? Locatelli është një produkt i akademisë së kuqezinjve dhe gjithmonë do të jetë mirënjohës ndaj tyre, por unë mendoj se ai po kërkon një përvojë ndryshe. Ndoshta në Itali, ndoshta dhe jashtë saj. Ëndërron të luajë në Champions League. Shpresojmë që ai dhe Sassuolo të marrin një dhuratë gjatë verës”, përfundon Castelnuovo. /abcnews.al