Pioli: Ibra unik, habitem si na e ndëshkuan Leaon! Kessie fantastik

schedule23:41 - 9 Janar, 2021

schedule 23:41 - 9 Janar, 2021

Stefano Pioli, trajneri i Milanit, pas fitores që kuqezinjtë morën me rezultatin 2-0, ka folur për DAZN në lidhje me ndeshjen, lojtarë të veçantë si Kessie, Leao e Ibrahimovic, sikurse edhe për ndeshjen Roma-Inter që zhvillohet nesër.

NDESHJA – “Duhet ta pranoj që nuk jam i habitur nga kjo paraqitje. I njoh këta djem dhe e prisja të jepnin këtë përgjigje. Pjesa e parë ishte e shkëlqyeshme, veçanërisht sa i takon cilësisë. Në të dytën ishim në presion, ndaj një ekipi si Torino që po kalon një formë të mirë”.

KESSIE – “Franck është një lojtar i kompletuar, na jep energji, cilësinë, mbron repartin difensiv dhe gjithashtu krijon edhe përpara. Ai është i pari që ndihmon një shok skuadre dhe u jep siguri atyre. Kessie është i paçmueshëm në këtë ekip”.

DËMTIMET DHE LEAO – “Nuk kemi akoma lajme për Tonalin dhe Diaz, do të shohim në vazhdimësi. Ata morën dy goditje të këqija. Ajo që më zhgënjen është humbja e Leao për ndeshjen tjetër. Kurrë nuk kam parë një lojtar të marrë të verdhë për simulim në mesfushë. Nuk mendoj se ishte vendim i drejtë.

Më pëlqeu shumë Leao sonte, pasi po përqendrohet. Është i ri dhe po mëson akoma. Ai ka disa karakteristika ndryshe, nuk është ai qendërsulmuesi tradicional. Ai mund të luajë edhe si sulmues i dytë. Leao po kompletohet si lojtar dhe mund të luajë në pozicione të ndryshme. kështu që ne mund të ndryshojmë kur është nevoja”.

IBRAHIMOVIC – “E dinim që testi final ishte në seancën e djeshme stërvitore. Ai do ishte gati për disa minuta. Dëmtimin muskulor e ka lënë pas dhe do të shohim të mërkurën çfarë do të bëjmë në Kupën e Italisë, Zlatan është unik dhe shpresojmë të jetë në formën të mirë sa më shpejt të jetë e mundur”.

NDESHJA E INTERIT – “Sigurisht që do ta shikoj Roma-Inter nesër, por jo për shkak të klasifikimit. Do e shoh pasi jam i sigurt që do të jetë një ndeshje e mrekullueshme mes dy trajnerëve shumë të zgjuar dhe sepse e dua këtë sport”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!