“Niveli i Vjosës rreth 7 metra”, Leli: Nuk ka vend për panik, por bëni kujdes gjatë natës

schedule20:56 - 8 Janar, 2021

schedule 20:56 - 8 Janar, 2021

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli ndodhej mbërmjen e së premtes në Novoselë bashkë me administratorin e zonës, Prefektin dhe Kryetarin e Qarkut për të parë më nga afër situatën e lumit Vjosa.

Në një video të postuar në llogarinë e tij në Facebook, Leli thotë se niveli i ujit të Vjosës ka shkruar tashmë 7 metra, por shton ai nuk është e nevojshme ngritja e alarmit.

“Niveli rreth 7 metra, nuk është e nevojshme të bëjmë alarm, por njerëzit duhet të fillojnë të jenë të kujdesshëm. Kanani më informoi që drejtuesit e kryetarët e fshatrave, kanë marrë informacione, që situata është për t’u mbajtur nën kontroll.”

Po ashtu, kryebashkiaku u bëri thirrje banorëve që ndodhën pranë shtratit të lumit që të jenë të kujdesshëm gjatë orëve të natës. Një familje nga to është larguar nga banesa, ndërsa disa të tjera po rrinë në gatishmëri, në varësi të situatës. s.b/abcnews.al/