Dhuna në Kapitol, Yuri Kim: SHBA do të dalin më të fortë pas kësaj prove të demokracisë

schedule11:40 - 8 Janar, 2021

schedule 11:40 - 8 Janar, 2021

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka reaguar për trazirat që ndodhën në Kapitol dy ditë më parë. Kim thotë se ajo që SHBA këshillon për të tjerët duhet të zbatohet edhe për ta, duke veçuar këtu lirinë e fjalës, të drejtën e protestave që janë sipas saj thelbësore për demokracinë. Por kjo liri, thekson Kim, nuk duhet të përshkallëzohet në dhunë dhe paligjshmëri. Ajo falenderon shqiptarët për reagimet e tyre rreth sulmit në Kapitol duke theksuar se SHBA do të dalin më të fortë pas kësaj prove të demokracisë.

“Shumë miq kanë shprehur tronditje dhe shqetësim rreth sulmit të fundit mbi Kapitolin e SHBA. Unë do të doja të ju falënderoj që keni qëndruar krah nesh. Dje, Presidenti Trump e bëri të qartë se është dhe duhet të mbetet një komb i rendit dhe ligjit, dhe ata që shkelën ligjin do të paguajnë një çmim.

Trump gjithashtu e bëri të qartë se Kongresi ka vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve tona dhe ai tani është përqendruar në sigurimin e një tranzicioni të qetë, të rregullt dhe pa pengesa të pushtetit në 20 Janar.

Ajo që SHBA këshillon për të tjerët zbatohen edhe për ne: liria e fjalës dhe e drejta e protestave janë thelbësore për demokracinë, por kjo liri dhe e drejtë nuk duhet të zvetënohet në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë, përfshirë tranzicionin paqësor të pushtetit. Demokracia nuk është e lehtë dhe nuk guxon të merret si e mirëqenë nga askush prej nesh. SHBA do të dalin më të fortë dhe më të mençur pas kësaj prove të demokracisë sonë”, shkruan Kim./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!