Artefaktet: Ikona 300 vjeçare ukrainase, dhuratë për Lavrov nga Dodik

schedule20:51 - 6 Janar, 2021

schedule 20:51 - 6 Janar, 2021

Nga Linda Karadaku

Kur anëtari serb i presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, i dhuroi një ikonë ortodokse ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov gjatë vizitës së tij në këtë vend, u shkaktua pothuaj një skandal diplomatik. Ambasada ukrainase reagoi duke kërkuar shpjegim urgjent në lidhje me posedimin e trashëgimisë së tyre kulturore që u dha si dhuratë. Ikona 300-vjeçare, që Dodik ia dhuroi Lavrovit mund të jetë kontrabanduar në mënyrë të paligjshme nga Ukraina Lindore e shkatërruar nga lufta. Mendohet se ikona e artë 300-vjeçare, vjen nga Luganski, një rajon në lindje të Ukrainës, nën kontrollin e separatistëve pro-rusë. Moska reagoi duke deklaruar se do ta kthente në Bosnjë-Hercegovinë ikonën antike pas një ankese nga Ukraina, në mënyrë që origjina e saj të mund të përcaktohet me ndihmën e Interpolit. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme ruse konfirmoi se ikona e Shën Nikollës, e cila iu dha ministrit të jashtëm rus, Sergey Lavrov në Bosnje-Hercegovinë, do t’i kthehej këtij vendi për të sqaruar prejardhjen e saj.

Edhe Kosova kërkon të njëjtën gjë. Dhjetra vepra arti me origjinë nga Kosova u ekspozuan në Muzeun Etnografik në Beograd, si pjesë e ekspozitës “Trashëgimia Etnografike nga pronat e Muzeut në Prishtinë”, në vitin 2011. Këto objekte ishin një pjesë e vogël e koleksionit të disa qindra eksponateve që u dërguan në Beograd, në një ekspozitë në fund të viteve ‘90, dhe të cilat nuk u kthyen më në Prishtinë. Serbia mori nga Muzeu I Kosovës në vitin 1999 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike. Ka pasur disa nisma për kthimin e eksponateve nga Serbia në Kosovë. Në maj të vitit 2002 kur në Beograd ishte në pushtet kryeministri I ndjerë Zoran Gjingjiç, u hodh një hap duke kthyer në Prishtinë një eksponat nga koleksioni i Muzeut të Kosovës, “Hyjnesha në Fron”.  “Hyjnesha në Fron” daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe u gjet në vitin 1956 në vendin e quajtur “Tjerrtorja” në Prishtinë.

Bosnjë-Hercegovina ka të njëjtin problem. Sarajeva ka kërkuar që Serbia t’I kthejë disa vepra, të cilat i konsideron trashëgimi të vetën kulturore. Sasha Magazinoviç, përfaqësues në parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës, i pati shkruar ministres serbe të kulturës dhe autoriteteve të Novi Sadit, në lidhje me një kanavacë në vaj të vitit 1930, të quajtur “Magdalena e penduar” e piktorit Gjoka Mazalliç, për të cilën theksonte se I përket koleksionuesit Enver Mullabdiç. Piktura ishte në koleksionin e  Gjuro Popoviçit në Novi Sad, I cili tha se e kishte blerë atë në mënyrë të ligjshme në Serbi, në fillim të viteve ‘90 nga Mulabdiç. Dhe jo vetëm atë, por edhe dy piktura tjera dhe një skulpturë të cilat kërkohen gjithashtu në Bosnjë-Hercegovinë.

“Magdalena e penduar” u zhduk në vitin 1993 ndërkohë që u raportua e zhdukur në vitin 2006. Vetë Enver Mullabiç kishte thënë se piktura kishte qenë më parë në shtëpinë e tij në Bosanko Novi dhe në korrik të vitit 1992, ai dhe familja e tij ishin dëbuar nga aty. Më vonë, pas kthimit nga Gjermania në vitin 1998, ai nuk kishte arritur ta kthente pikturën dhe tri veprat më të çmuara të artit të koleksionit të tij. Mullabdiç pati deklaruar se “Magdalena e penduar” ishte shpallur aset kombëtar i Bosnjë e Hercegovinës,  ndërsa para kësaj kishte statusin e një monumenti kombëtar. Shumë vepra arti u zhdukën nga Bosnjë e Hercegovina, gjatë dhe pas luftës, nga institucionet kulturore, galeritë private, koleksionet dhe apartamentet. Nuk ka një listë përfundimtare të të gjitha veprave të vjedhura. Nga Galeria e Arteve e Bosnjë e Hercegovinës janë zhdukur 53 vepra, 46 prej të cilave janë ikona ortodokse. INTERPOL-i është duke gjurmuar 109 vepra arti të zhdukura  nga Bosnjë- Hercegovina.

Serbia ndërkohë planifikon të formojë një grup punues për të parandaluar tregtinë e paligjshme të veprave të artit nga rajoni. Baza e të dhënave të Interpolit për veprat e vjedhura të artit përmban më shumë se 50.000 lëndë. Vendet dërgojnë informacione rreth sendeve të vjedhura dhe të humbura, si dhe më pas ekspertët e INTERPOL-it i shtojnë ato në bazën e të dhënave. Rasti I ikonës 300 vjecare ukrainase të praruar në ar që Dodik I dhuroi ministrit të jashtëm rus Lavrov, thjeshtë tregoi sa I madh është ky problem.

Në Vojvodinë zyrtarët e Lidhjes Social-Demokrate kanë reaguar ashpër duke kërkuar që veprat e grabitura gjatë viteve 90’të tu kthehen pronarëve të tyre. Lideri i kësaj partie, Nenad Çanak, ka deklaruar se në vitin 2001, kur ai ishte në krye të Kuvendit të Vojvodinës, ky institucion ktheu në Muzeun e qytetit të Vukovarit në Kroaci, koleksionin e Bauerit me rreth 3.000 vepra arti. Kroacia pati njoftuar katër vjet më parë se po i kërkonte Serbisë më shumë se një mijë vepra kulturore nga kishat dhe manastiret ortodokse.

Një listë e thesareve kombëtare të vjedhura në vendet e ish-Jugosllavisë nuk është publikuar ende.  Megjithatë Serbia është bërë strehë e veprave të vjedhura të artit. Në vitin 2012, në Beograd u gjet piktura me vlerë përrallore “Djaloshi me jelek të kuq” e Pol Sezan, një prej artistëve më të mëdhenj të fundit të shekullit 19, e cila ishte vjedhur nga muzeu në Cyrih të Zvicrës, në vitin 2008. Prokurori i Serbisë për krimin e organizuar pati deklaruar në atë kohë se “Djaloshi me jelek të kuq” i vlerësuar 100 milionë e 600 mijë euro, do të shitej në Serbi për 3.5 milionë euro.

Shqipëria ka vuajtur në vitet e tranzicionit nga rrëmbimi dhe kontrabandimi i pasurive të saj kulturore, artefakte, ikona dhe objekte të tjera me rëndësi të vecantë. Në vitin 2017, policia parandaloi kontrabandimin e 200 artefakteve nga qyteza antike e Apolonisë dhe dy persona u arrestuan.  Dënimi për këtë veprimtari kriminale në Shqipëri shkon deri në 15 vjet burg.

Ndërsa në vendin fqinjë, në Greqi, këtë vit, profesori Christos Tsirogiannis, një arkeolog mjeko-ligjor grek, i cili ka zbuluar dhe raportuar raste të shumta të objekteve të lashta të plaçkitura në Greqi dhe gjetkë, është kthyer në problem për shtëpitë e pasura të ankandeve të Nju Jorkut dhe Londrës. Hetimet e tij detyruan Christie’s të Londrës të tërhiqte kohët e fundit katër objekte antike greke dhe romake nga ankandi. Javën e kaluar, një gjykatë amerikane vendosi në favor të Greqisë në një mosmarrëveshje të ashpër me Sotheby’s mbi shitjen e një kali të hollë bronzi grek të lashtë, në një rast të zbuluar fillimisht nga arkeologu grek.Tsirogiannis, i cili punon në Institutin e Studimeve të Avancuara Aarhus në Danimarkë, zbuloi se Christie’s kishte tërhequr papritmas antikitetet e lashta nga ankandi pasi ai kishte mbledhur prova që lidhnin katër artefaktet, një lepur mermeri romak, një shqiponjë romake prej bronzi dhe dy vazo antike, me trafikantë të dënuar.

Sipas Interpolit, në vitin 2019, u rikuperuan më shumë se 19,000 objekte arkeologjike dhe vepra të tjera arti, si pjesë e një operacioni global që përfshin 103 vende. 101 të dyshuar u arrestuan dhe u hapën 300 hetime si pjesë e kësaj goditje të koordinuar. Rrjetet kriminale trajtonin mallra arkeologjike dhe vepra arti të plaçkitura nga vendet e goditura nga lufta, si dhe vepra të vjedhura nga muzetë dhe vendet arkeologjike. Kishte në to monedha nga periudha të ndryshme, objekte arkeologjike, qeramika, armë historike, piktura.  Në Rumani, pjesë e këtij operacioni, policia arriti të rikuperonte disa qindra artefakte të vjedhura nga vendet arkeologjike si pjesë e një operacioni të përbashkët ku përfshiheshin 29 vende.

Monedhat e konfiskuara datojnë që nga kohërat e Greqisë Antike dhe Perandorisë Romake. Zyrtarët e zbatimit të ligjit i kushtuan vëmendje të veçantë monitorimit të tregjeve në internet dhe vendeve të shitjes, pasi interneti është një pjesë e rëndësishme e tregtisë së paligjshme të veprave të artit. Si rezultat, 8,670 objekte kulturore për shitje në internet u sekuestruan. Kjo përfaqëson 28% të numrit të përgjithshëm të artefakteve të rikuperuara gjatë kësaj goditje ndërkombëtare.  Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it Jürgen Stock deklaroi se numri i arrestimeve dhe objektet e gjetura tregon shkallën dhe shtrirjen globale të tregtisë së paligjshme të artefakteve kulturore, ku çdo vend me një trashëgimi të pasur është një objektiv i mundshëm./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!