Policia kufitare e doganës së Kakavijes në Gjirokastër ka goditur një rast të trafikut të lëndëve narkotike. Sipas burimeve nga vendngjarja, mësohet se janë sekuestruar 14 pako me kanabis sativa.
Lënda narkotike ishte fshehur në gomën rezervë të një automjeti që po udhëtonte drejt Greqisë. Në pranga ka rënë drejtuesi i mjetit, i cili mësohet se është një 32-vjeçar me iniciale S.H.
Njoftimi i Policisë
Policia Kufitare godet një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen rreth 7 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Në pranga drejtuesi i mjetit që transportonte lëndën narkotike.
Në vijim të masave të marra nga ana e Polcisë Kufitare për rritjen e forcës parandaluese, evidentuese dhe goditëse ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, qënieve njerëzore, si dhe mallrave kontrabandë, veprimtari kjo që mund të zhvillohet duke përfituar edhe nga fluksi në rritje i turistëve dhe shtetasëve shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit dhe vijnë për pushime në Shqipëri, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore kanë evidentuar dhe goditur një tentativë për trafik të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë përzgjedhur për kontroll më të detajuar në vijë të dytë automjetin “Toyota Rav”, që drejtohej nga shtetasi Skerdi Hasani, 32 vjeç, banues ne Memaliaj, i cili udhëtonte për në Greqi.
Nga kontrolli i detajuar i kryer nga punonjësit e Policisë Kufitare në vijën e dytë ka rezultuar se në gomën rezervë kishte të fshehura disa pako të mbështjella me letër natriban të cilat dyshohet se janë të mbushura me lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Menjëherë është njoftuar grupi Hetimor, ku kanë mbërritur Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se në brendësi të gomës rezervë kishte 14 pako me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me peshë rreth 7 kilogramë gjithësej, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, ku në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. /abcnews.al