Drejtuesi politik i LSI në qarkun e Beratit, Ardit Çela ka reaguar pas largimit të Nasip Naços drejt Partisë Socialiste rreth katër muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Ai thotë se LSI është forcë e parë në qarkun e Beratit dhe nuk ka kohë të merret me Blendi Klosin dhe as me shoqëruesin e pestë të tij, duke iu referuar këtu pikërisht Naços i cili zyrtarizoi sot kalimin me PS në krah të Klosit.
“Jemi përditë në mesin e njerëzve të mrekullueshëm e të ndershëm të Qarkut të Beratit. LSI forcë e parë në Qarkun e Beratit. Nuk kemi kohë të merremi as me Blendi Klosin, e jo më me shoqëruesin e pestë të tij”, shkruan Ardit Çela.
Naço e njoftoi sot largimin e tij nga LSI, duke e cilësuar ish-partinë e tij një eksperiment politik, në krah të ministrit Blendi Klosi gjatë ceremonisë së hedhjes së kryqit në Berat. Ndërkohë, Klosi u shpreh se me ardhjen e Naços, PS do të marrë 5 mandate në qarkun e Beratit./mv.abcnews.al