Politologu dhe studiuesi Arbër Zaimi, i ftuari në emisionin “Refleksione”, deklaroi se nuk ka një mendim të respektueshëm për Baton Haxhiun.
Në një prononcim të bërë kohë më parë, Haxhiu deklaron se kriza politike aktuale në Kosovë i ka rrënjët që në vitin 2014 dhe përgjegjës për këtë gjë janë Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Duke marrë shkas nga deklaratat e Baton Haxhiut, Zaimi theksoi se Batoni është një lobist që nuk i dihet se kush e financon dhe për këtë arsye është një dëmtues i demokracisë.
Zaimi sqaroi se interesat kulte që propagandojnë lobistët në Shqipëri dhe Kosovë i kanë lënë dy vendet tona në situatën aktuale, pa integrim në BE, pa zhvillim ekonomik, teknologjik dhe kulturor.
Zaimi tha se një pjesë e lobistëve që dalin në media i shpërbëjnë oligarkëve, politikanëve por dhe krimit.
“Një lobisti të cilit nuk ia dimë rrënjët është dëmtues i demokracisë. Unë mendoj se edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe kudo tjetër, janë pikërisht këto vepra okulte të cilat e kanë lënë vendin edhe pa Integrim Evropian edhe pa liberalizim të vizave në Kosovë.
Por e ka lënë edhe pa zhvillim ekonomik, teknologjik, kulturor, arsimor dhe me një farë mënyre me status kuo që pasuron vetëm pak persona dhe varfërimin e shtresës së mesme dhe asaj të ulët. Kjo rezulton edhe në statistika, në 15 vitet e fundit, 10 % që përbëjnë të pasurit zotërojnë më shumë pasuri sesa para 15 vitesh, ndërkohë 40 % i shtresës së mesme dhe 50% i shtresës së varfër, prej vitit 2005 e deri sot zotërojnë përqindje më të vogël pasurie sesa para 15 viteve.
Arsyeja janë pikërisht një farë lidhjeje okulte e bërë midis disa personave, të cilët quhen oligarkë sipas modelit të Putinit, të cilët veprojnë në hije midis kriminalitetit dhe biznesit edhe një pjese të medias dhe një pjese të politikës. Pra kështu zhvillohet i ashtë quajturi lob këtu tek ne.
Nëse do të ishte demokratik, duhet të ishte institucionalizuar si në Amerikë, do të ishte transparent dhe do i diheshin rrënjët. Unë nuk besoj tek një lobist i cili lobon nonstop, është aktiv në të gjitha mediat, mbështet interesa të caktuar dhe unë nuk e di për kë punon ai, kush e paguan këtë energji të pashtershme. Jo vetëm për njeriun ne fjalë, po kushdo që është i atillë për mua është shumë i dyshimtë,” deklaroi Zaimi në emisionin “Refleksione”.
/abcnews.al/