Rowan Atkinson është shprehur se interpretimi i Mr. Bean ishte “stresues dhe rraskapitës”, duke lënë të kuptojë se nuk do ta luajë kurrë më këtë rol. Aktori 65-vjeçar do ta interpretojë karakterin që e bëri një yll global në një version të animuar.
“Nuk më pëlqen shumë ta luaj. Pesha e përgjegjësisë nuk është e këndshme. Më duket stresuese dhe rraskapitëse dhe pres me padurim fundin e tij. Tani po krijojmë një film të animuar për Mr Bean, është më e lehtë për mua të interpretoj karakterin me zë sesa vizualisht”, u shpreh aktori.
Atkinson portretizoi personazhin e famshëm në serialin e suksesshëm nga 1990 deri në 1995, përpara se të bëhej pjesë më vonë e filmave Bean Movie në 1997 dhe Mr Bean’s Holiday në 2007. Ylli anglez thotë se nuk është i befasuar për suksesin e karakterit.
“Suksesi i Mr. Bean nuk më ka befasuar kurrë. Të shikosh një të rritur që sillet në mënyrë fëminore pa qenë i vetëdijshëm është thelbësisht qesharake. Fakti që komedia është më shumë vizuale sesa verbale do të thotë se ka qenë e suksesshme edhe ndërkombëtarisht.”, shtoi aktori. /abcnews.al