Koreja e Veriut po sfidon komunitetin ndërkombëtar duke vijuar me programin e armatimeve, pavarësisht premtimeve të bëra nga lideri Kim Jong-un në takimin me Donald Trump. Aktiviteti ushtarak i Penianit është denoncuar në një raport të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Koreja e Veriut nuk e ka ndalur programin e saj bërthamor, duke shkelur kështu sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Kështu thuhet në një raport të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku mes të tjerash vihet në dukje se Peniani ka rifilluar tregtinë ilegale të derivateve të naftës dhe është përpjekur të shesë armë jashtë vendit.
Javën e kaluar, zyrtarë amerikanë deklaruan se regjimi i vendit aziatik kishte nisur ndërtimin e raketave të reja balistike, pavarësisht shkrirjes së akujve me administratën e presidentit Donald Trump dhe zotimit për çarmatim bërthamor.
Burimet zyrtare deklaruan për “Washington Post” se satelitët spiunë kishin konstatuar vazhdim të aktivitetetit në bazën ku prodhoheshin raketat. Presidenti Trump u takua me liderin Kim Jong un qershorin e kaluar në Singapor dhe të dy liderët u angazhuan për të bashkëpunuar për çarmatimin bërthamor, edhe pse pa dhënë detaje mbi mënyrën e funksionimit të procesit.
Aktualisht Peniani ndodhet nën një gamë të gjerë sanksionesh ndërkombëtare dhe amerikane, pikërisht për shkak të programit të armatimit. Raporti, i hartuar nga një grup ekspertësh të pavarur, vlerëson se në këtë mënyrë Korea e Veriut po sfidon Këshillin e Sigurimit. Gjithashtu, publikimi i tij vjen pak pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u shpreh optimist se objektivi i çarmatimit bërthamor mund të arrihet./abcnews.al