Vaksina anti-Covid, Pipero në “Log.”: Pikëpyetjet dhe imuniteti, në tre muaj bota do të flasë ndryshe

schedule21:33 - 4 Janar, 2021

schedule 21:33 - 4 Janar, 2021

Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës, duke përmbyllur marrëveshjen zyrtare me kompaninë amerikane Pfizer. Duke llogaritur që cdo individ do të bëjë nga 2 doza, do të jenë 250 mijë qytetarë që do të vaksinohen në Shqipëri duke filluar nga java e tretë e janarit. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u shpreh mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” se vaksinimi do të relaksojë më shumë sistemin shëndetësor. “Një pjesë nuk vaksinohen, një pjesë e kanë kaluar, fashat me përparësi, grupet e riskut, duke marrë në konsideratë edhe protokollin, edhe atë që ka krijuar imunitet, natyrisht që 250 mijë vaksina të plota me dy doza, nuk do ta konsideroj të ezauruar problemin, por do ta relaksonin shumë sistemin shëndetësor te ne. Ulet intensiteti, agresiviteti, është relaksuese” tha ai.

Pipero pavarësisht pikëpyetjeve shprehet se bota në tre muaj do të flasë ndryshe. “Ka disa pikëpyetje të vogla për faktin se duhet të bëhet me dy injeksione, i pari nga i dyti ka një distancë 3-4 javë. Të gjithë shkencëtarët mendojnë se pas aplikimit të dozës së parë, antitrupat fillojnë të krijohen nga dita e 9. Duhet t’ia lëmë kohës si do të aplikohet, përsa kohë do të arrijë dhe do të zgjasë ky imunitet. Gjasat janë që vaksina të krijojë mbrojtje pas dozës së dytë dhe imuniteti të zgjasë për disa vite. Unë besoj se në tre muaj bota do të flasë ndryshe. Nuk e presim mrekullinë vetëm nga vaksinimi. Do të na duhet që masat e tjera parandaluese, si maska të jenë prezente. Maska është e domosdoshme” tha ai.

Mjeku Laidon Shapo në një lidhje nga Londra me emisionin “Log.” u ndal te varianti i ri koronavirusit që u zbulua në Britani dhe pikëpyetjet për dy injeksionet e vaksinës anti-covid. “Virusi u zbulua këtu se këtu ka kapacitetet maksimale. Nga doza e parë në të dytën efektshmëria e kësaj vaksine është 52.4%, por efektshmëria në kohë të shkurtër pas ditës së 15, shkon në 89-90%. Po luhet kjo lojë që të vaksinohet sa më shumë popullatë e mundshme duke ditur që në lojë është futur edhe vaksina e Oksfordit, e cila efektivitetin e ka te 70%. Politikën me një dozë vaksine është duke ndjekur edhe ministria e shëndetësisë gjermane, është duke parë pse po veprohet. Këto nuk janë gjëra të prera me thikë” tha ai. / db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!